Ralf Ragnick prezantohet te Manchester United

Tashmë gjermani Ralf Ragnick është edhe zyrtarisht trajner i Manchester United.

Ai është prezantuar sot gjatë ditës në një konferencë për media, pas sfidës kundër Arsenal që Manchester United e fitoi me rezultat 3:2 dhe para ndeshje së tij të parë kundër Crystal Palace.

Ai gjatë konferencës ka folur për transferimet e mundshme në muajin Janar, për Cristiano Ronaldon si dhe për shumë gjëra tjera që e presin te “Djajtë e Kuqë”.

“Nuk kemi folur me bordin për transfere. Tani është momenti që ta njoh skuadrën aktuale në detaje, skuadër e cila definitivisht nuk është e vogël. Ka mjaftueshëm lojtarë”, është shprehur Ralf Ragnick.

Në momentin që Ralf Ragnick u pyet nëse do të ketë transferime në Janar , ai tha se është shumë e vështirë të marrësh lojtarë në këtë periudhë.

“Mund të flasim për këtë temë vetëm pas krishtlindjeve. Personalisht nuk e preferoj merkaton e janarit sepse është tejet e vështirë të marrësh lojtarët që i do”, thotë trajneri i ri i Manchester United.

Ai po ashtu gjatë konferencës ka folur edhe për Cristiano Ronaldon.

“Ta shohësh Cristianon si 36 vjeçar, nuk kam parë kurrë një lojtar në atë moshë që të jetë shumë në formë. Ai lehtë mund të bëj diferencën”, thotë gjermani.

Ralf Ragnick po ashtu ka thënë së është nder dhe krenari që të punojë për Manchester United.

“Është klubi më i madh në botë. Jam shumë i lumtur të punoj këtu dhe më shumë i lumtur të punoj me këtë grup lojtarësh”, thotë Ragnick.

Ai thotë se e ka lutur Carrick që të qëndrojë te Unted por që nuk ka arritur që ta bind që të qëndrojë.

“U takova me Carrick, dhe u mundova ta bind që të qëndrojë. Nuk i’a arrita. Jam i lumtur të punoj me pjesën tjetër të stafit. Më nevojiten njohuritë e tyre. Në vazhdim do mundohem të sjellë dy a tre tjerë si pjesë e stafit, por me Brexit duket paksa jo e lehtë”, ka thënë në fund Ragnick.