Qeveria i bën thirrje Serbisë që t’i lejojë boksierët kosovarë të marrin pjesë në Botëror

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka reaguar pas vendimit të sotëm të autoriteteve të Serbisë duke mos e lejuar hyrjen e boksierëve kosovarë në territorin e tyre.

Herën e parë autoritetet serbe nuk i lejuan boksierët kosovarë të hyjnë në Serbi për shkak të simboleve shtetërore në uniforma, kurse për herë të dytë nuk i lejuan ani pse nuk kishin simbole.

“Me këtë veprim, Serbia si organizatore e Kampionatit Botëror të Boksit, kanë shkelur të drejtën e sportistëve dhe të drejtën e Federatës së Boksit të Kosovës, për pjesëmarrje në Kampionat, siç është e përcaktuar me rregullat e organizatave ndërkombëtare të sportit. Federata e Boksit të Kosovës është anëtare me të drejta të plota në Federatën Botërore të Boksit (AIBA)”, thuhet në njoftim.

MKRS-ja bëri thirrje që të lejohet hyrja me kohë e boksierëve kosovarë për të nisur Kampionatin Botëror.

“Kërkojmë nga organet kompetente të shtetit të Serbisë të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të reagojnë me shpejtësi në mënyrë që garuesit tanë të arrijnë në kohë për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet nga 24 tetori deri më 6 nëntor. Këtë kërkesë e kemi drejtuar edhe me shkrim te ministri i Rinisë dhe Sportit në Serbi, Vanja Udoviçiq”, thuhet tutje në reagim.

Gjatë ditës po ashtu ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme.