Pse Messi e bën ndryshimin?

Miliona tifozë në krejt botën shpresojnë që kombëtarja argjentinase (e njohur ndryshe edhe si Lionel Messi) ta fitojë Botërorin e tretë (ose të parin?) këtë të diel. Por edhe nëse një gjë e tillë nuk ndodh, numri legjendar dhjetë i kombëtares së Argjentinës me siguri e ka arritur atë vlerësimin e rrallë dhe të çmuar – të cilin e kishin fituar Pele në vitin 1970 dhe Maradona në vitin 1986 – për ta dominuar një Kupë Bote aq sa do të jetë e lidhur përgjithmonë me të. Me shumë respekt ndaj Kylian Mbappé, ky ka qenë botërori i Messit. Dhe të jeni të sigurt se, fitoi apo humbi, vëmendja e mediave botërore do të jetë vetëm tek Messi sapo të përfundojë finalja.

“Vallëzimi i fundit” i Messit siç është quajtur (me të drejtë, pasi ai ka këmbët dhe hirin e Carlos Gardel) ka rëndësi sepse Messi është një individ i jashtëzakonshëm dhe i rrallë në sportin botëror dhe ne duhet t’i vlerësojmë lëvizjet e tij të fundit në skenën më të madhe të futbollit. 

Me kaq shumë ndikim në fushë – dhe megjithatë i qetë dhe modest jashtë saj – Messi është dukur, ndonjëherë, një figurë pothuajse periferike. Ai është përshkruar si i përmbajtur, duke dhënë ndonjëherë pamjen e një individi të pa interesuar.

Megjithatë, kjo analizë sipërfaqësore ka marrë dhenë shumë kohë më parë. Është fshirë plotësisht nga pasioni i tij i dukshëm në këtë botëror, por keqkarakterizimi ndaj tij flet për gjakftohtësinë, seriozitetin dhe dinjitetin e tij në një botë sportive të tejmbushur me zhurmë, cektësi dhe famë.

Messi ka qenë aq pranë për kaq shumë kohë sa është e lehtë të harrohet se atij iu ka dashur të luftojë fort për të arritur këtu ku është tani. Dhuntitë e tij mund të jenë dhuruar nga një fuqi më e lartë, por ato kishin nevojë për një jetë me edukatë. Djali i një pastruesi dhe një punëtori fabrike, Messi ishte një adoleshent i shëndetlig dhe me gjasë është dukur si një superyll i pamundur futbolli. Ai kishte nevojë për injeksione hormonale për ta rritur trupin e tij të pazhvilluar sa duhet.

Messi është, me të gjitha llogaritë, i përqendruar maniakisht edhe atëherë kur stërvitet. Ish-trajneri i tij, Ronald Koeman, tha se Messi ishte një ‘tiran’ për shokët e skuadrës në stërvitje pasi urrente t’i humbiste edhe ndeshjet gjatë stërvitjeve. Tani, ai nuk është thjesht një lojtar jashtëzakonisht i aftë – ndoshta më eleganti që ka qenë ndonjëherë – por është po aq i ashpër sa ata janë: vetëm shikoni pasimet e tij të suksesshme me mbrojtësin kroat Joshko Gvardiol, teksa sillej e pshtillej përreth tij për ta kurdisur golin e tretë të Argjentinës mbrëmë. Dhe e gjithë kjo me një muskul të zgjatur në këmbën e tij duke qëndruar në fushë deri në fund të ndeshjes.

Messi e ka ruajtur këtë nivel të jashtëzakonshëm të performancës për pjesën më të mirë të njëzet viteve, kurrë nuk i ka folur keq kundërshtarëve të tij (pavarësisht provokimeve të panumërta) dhe ka një rekord disiplinor pothuajse të nivelit Lineker. Ai është i martuar me të dashurën e tij të fëmijërisë dhe ka tre fëmijë (të cilët i mban larg vëmendjes). Ka një fondacion bamirësie dhe ka luajtur rolin e tij duke bërë punë të mira për klubet e tij – por kurrë nuk është bërë i mërzitshëm për këtë.

Me pak fjalë, Messi ka arritur disi të mbajë nën kontroll egon e tij – nëse ka një të tillë, pavarësisht presioneve ekstreme inflacioniste të botës shpesh histerike të futbollit profesionist. Ai nuk është se e ka zgjedhur aktrimin apo këndimin apo-apo edhe zejen e shkrimtarit. Apo, Zoti na ruajt, nuk i është futur politikës. Ai, për ta thënë në terma futbollistikë, e ka mbajtur vëmendjen e tij vetëm tek topi. 

Si rezultat, Messi nuk e ka lejuar veten të ndikohet nga lëvdata ekstravagante apo të joshet nëpër studiot televizive që shënojnë rezultate për intervista me prezantues të uritur për skandale. Por kjo nuk do të thotë se ai nuk ngritet dhe kujdeset për veten e tij. Messi i dha historisë rrëfimin e tij pasi u largua nga Barcelona dhe problemet e tij me Joan Laportan, presidentin e klubit – por e bëri atë në mënyrë diskrete dhe me plot respekt.  

Sigurisht, nuk duhet të magjepsemi. Messi është një futbollist, jo një shenjtor. Ka një temperament, ndonëse duhet shumë për ta provokuar temperamentin e tij. Nuk është plotësisht i imunizuar ndaj shkëlqimit – tatuazhet, modelet e flokëve që ndryshojnë vazhdimisht, ato kostume në ceremonitë e Topit të Artë…

Dhe, në vitin 2017, Messi u shpall fajtor edhe për mashtrim tatimor. Edhe pse, duke pasur parasysh se si qeveritë tona i shpërdorojnë paratë tona të fituara me mund këto ditë, gjoba e tij (një ulje nga një dënim fillestar prej 21 muajsh burg) nuk ka gjasa ta dëmtojë materialisht trashëgiminë e tij.

Por në një botë sportive me cinikë, narcistë dhe mashtrues, Messi spikatë. Ai është një gjë e vërtetë: një model i vërtetë, i përkushtuar për zanatin e tij dhe për ekipin e tij. Për një sportist të kalibrit të tij, Mesi e ka lënë gjithmonë përshtypjen se kur luan nuk ndihet sikur gjithçka ka të bëjë me të. Por kësaj radhe – i pëlqeu apo jo – gjithçka ka të bëjë me të./The Spectator

Përgatiti: Nuhi Shala