Prishtina përballet me kampionin e San Marinos në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve

Kampionia e Kosovës në futboll, Prishtina ka mësuar kundërshtarin e parë në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve.

Në shortin e tërhequr gjatë ditës së sotme, prsihtina në gjysmëfinale të këtij turneu që zhvillohet nga 22 deri më 25 qershor në Ishujt Faroe do të përballet me kampionin e San Marinos, S.S Folgore.

Për skuadrën e Prishtinës do të jetë hera e parë në histori të klubit që do të paraqitet në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve, pasi në katër sezonet e fundit ka luajtur në Ligën e Europës.

Përballja ndërmjet Prishtinës dhe Folgores do të luhet më 22 qershor.

Fituesi i kësaj ndeshje do të luajë në finale më 25 qershor me fituesin e gjysmëfinales tjetër ndërmjet HB Torshavnit dhe Inter d’Escaldesit.

Skuadra fituese e këtij mini-turneu parakualifikues të Ligës së Kampionëve, do të kualifikohet në raundin e parë eliminator të kësaj gare derisa tri të tjerat, do të barten në Ligën e Konferencën dhe garat do t’i nisin prej raundit të dytë eliminator. Shorti për çiftet e raundit të parë kualifikues, do të tërhiqet më 15 qershor.