Prishtina në epërsi ndaj Drenicës me dy golat e Ahmed Januzit

Prishtina e ka mbyllur pjesën e parë të ndeshjes me Drenicën me epërsi 2-0.

Vendasit e nisën mirë ndeshjen me Oto Johnin duke e krijuar rastin më të mirë në minutën e 22’ duke u gjendur përballë vetëm me portierin Arion Ymeri, por ky i fundit tregohet i vëmendshëm dhe pret goditjen e sulmuesit të Prishtinës.

Mesfushori i vendasve Endrit Krasniqi goditi afër portës në minutën e 27’.

Kryeqytetasit kaluan në epërsi në minutën e 29’ me Ahmed Januzin duke e shfrytëzuar pasigurinë e mbrojtësit Armin Mujkiç.

Goditjen e parë Drenica e bëri me Hasan Hysenin në minutën e 42’ duke goditur jashtë portës.

Në minutën e 43’ Prishtina e dyfishoi epërsinë me Januzin pas një asistimi të bukur nga kapiteni Armend Thaçi.

Prishtina – Drenica luhet në kuadër të ndeshjes së parë të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës në futboll, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Kjo ndeshje luhet pa praninë e tifozëve për shkak të masave për mbrojtje nga COVID-19.