Presidenti i UEFA-s: Jemi fuqishëm kundër Superligës së Europës, do ta vriste futbollin

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, ka dalë haptazi kundër Superligës së Europës, e cila është paraparë të përbëhej nga super klubet europiane.

Çeferin ka treguar se UEFA ka bashkëpunim të fortë me ligat kryesore europiane. Ai ka treguar se Superliga e Europës është shpikje e disa klubeve dhe mediave italiane.

“Ekziston një bashkëpunim i fortë midis nesh dhe ligave. Gjëja pozitive në këtë situatë është dialogu dhe solidariteti. I ashtuquajturi Superkampionati është një shpikje e disa klubeve dhe disa mediave italiane, jo propozimi ynë”, ka deklaruar Aleksander Çeferin.

Çeferin ka thënë se këto ide do ta vrisnin futbollin dhe është kundër kësaj Superlige.

“Do të ishte një nga projektet më të mërzitshme në botë. Dy ose tre klube flasin për këtë, të cilët besojnë se meritojnë më shumë se të tjerët, por që në fakt fitojnë pak dhe besojnë se ata mund të jenë fitues në një Superligë. Nuk është një diskutim serioz, këto lloj idesh do ta vrisnin futbollin. Unë jam fuqimisht kundër një Superlige që është shpikur kryesisht nga shtypi italian”, ka thënë Çeferin.