Presidenti i Brescias: Ky stinor nuk ka kuptim të vazhdohet

Italia është shteti më i prekur në Europë nga pandemia coronavirus.

Të mërkurën UEFA në një video-konferencë me 55 krerët e federatave europiane të futbollit, ka vendosur që t’i jepet përparësi që të vazhdohet sezoni 2019/2020 deri në muajin Gusht.

Futbolli në Itali është pezulluar prej 9 marsit dhe pritet të rinisë në muajin qershor ose në fund të majit.

Për gjendjen që po kalon Italia dhe futbollin italian, ka folur presidenti i Brescias, e cila bën gara në Serie A.

Massimo Cellino, në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, ka thënë se nuk ka kuptim që të vazhdoj sezoni në Serie A, edhe nëse vazhdon Cellino ka parlajmëruar se do t’i dorëzojnë ndeshjet në tavolinë.

“Ky stinor nuk ka kuptim të vazhdohet.Ne kemi ndaluar, asnjë skuadër nuk do të kthehet si më parë, ndeshjet do të luhen pa shikues dhe rrezikojmë shëndetin e lojtarëve. Për mua është çmenduri të kthehemi në fushë. Nëse na detyrojnë të luajmë, atëherë nuk do të jem i gatshëm të fusë skuadër në fushë dhe do të humbasim ndeshjet me rezultat zyrtar 3:0, në shenjë respekti ndaj qytetarëve të Brescias dhe të dashurve të tyre që më nuk janë në mesin tonë”, ka thënë presidenti i Brescias, Massimo Cellino.

Cellino thotë se nëse vazhdohet sezoni, atëherë do të krijohet kaos në futbollin italian.

“Stinori duhet të mbarojë më 30 qershor, që është afati i fundit për dorëzimin e raportit financiar të klubit dhe po ashtu afati kur skadojnë kontratat e lojtarëve. Për të vazhduar stinorin, ne duhet të ndryshojmë të gjitha rregullat nacionale dhe ndërkombëtare: kontratat e lojtarëve, financat, afatet përfundimtare në bankë, afatin e transferimit të lojtarëve, përgatitjet, fillimin e stinorit të ri. Do të jetë kaos absolut, e për çfarë ?”ka thënë Cellino.

Kujtojmë se Brescia, pozicionohet në vendin e fundit në Serie A.