Pranvera në Drenas: Feronikeli niset për t’i mbrojtur titujt

 

Feronikeli, kampioni në fuqi i Superligës dhe i Kupës së Kosovës, ka filluar përgatitjet për sezonin e ri dhe synim ka mbrojtjen e titujve.

Në sezonin vjeshtor, klubi nga Drenasi ka përfunduar në pozitën e pestë, me 7 pikë më pak se Ballkani, që është lider i Superligës.

Po ashtu, Feronikeli është në garë edhe për Kupën e Kosovës, pasi në muajin shkurt do të përballet me Lirinë e Prizrenit në kuadër të çerekfinales.

Secili nga këta dy tituj i siguron sërish pjesëmarrjen në garat europiane.

Për t’i arritur këto synime, klubi është përforcuar gjatë afatit kalimtar me futbollistë të rinj, si Basiru Mbye, Medojon Hoxha, Prince Balde, Nicholas Andrews, Ilir Berisha, Simon Lloshi, Kristi Kullaj dhe Keith Groeneveld.

Megjithatë, nga klubi janë larguar edhe lojtarë cilësorë si Astrit Fazliu e Kastriot Rexha. Ky i fundit ishte shpallur futbollisti i vitit në Kosovë për sezonin 2018/2019.

Trajneri i kësaj skuadre, Agim Sopi, thotë se janë duke u stërvitur me intensitet të lartë.

“Kemi filluar përgatitjet, faza e dytë. Faza e parë ka qenë kur i kemi dhanë mini-pauzën, i kemi dhanë pushim aktiv. Fazën e dytë e kemi filluar prej 6 janarit, kemi ushtruar deri më sot. Ushtrimet janë duke shku shumë mirë. Intensiteti është shumë i lartë. Jam i kënaqur me performancën e lojtarëve, e japin maksimumin në çdo ushtrim”, tregon trajneri i kampionëve të Kosovës.

Trajneri Sopi thotë se do të mundohen ta fitojnë çdo ndeshje deri në fund të sezonit në mënyrë që të shpallen sërish kampion.

“Çdo ekip i cili është në pjesën e lartë të tabelës besoj se ka synim me fitu titull. Mirëpo synimi i ynë prej se kam ardh në Feronikel është që të mundohemi ta fitojmë çdo ndeshje. Në rast se e fitojmë çdo ndeshje e dimë se ku jemi në fund të sezonit. Qëllimi është të punojmë mirë, intensivisht, të kemi përformanca të mira gjatë ndeshjeve, intensitet të lartë të lojës, të fitojmë ndeshjen edhe pastaj në fund të sezonit ta shohim se ku gjendemi në tabelë”, shprehet Agim Sopi për KALLXO.COM.

Sopi ka thënë se është i kënaqur me ardhjen e lojtarëve të rinj dhe i ka falënderuar ata që janë larguar nga ekipi.

“Shiko, lojtarët e trajnerët vijnë e shkojnë, klubi ekziston. Kështu është çdokund në botë. Këta lojtarë që na kanë ardhë jemi të kënaqur me ta. Me ardhjen e tyre, intensiteti i ushtrimeve është rritur, kualiteti i ushtrimeve është rritur. Jemi të kënaqur me këta që kanë ardhë edhe ata që janë largu i falënderoj shumë për atë kohë që kanë qenë këtu. Por, kështu është, tashti i kemi këta edhe jemi të kënaqur me ta që na kanë ardhë”, thekson trajneri i klubit kampion.

Kurse, mbrojtësi i krahut të djathtë, Përparim Islami, shprehet optimist sa i përket Kupës së Kosovës dhe titullit të kampionit.

“Vitin e kaluar i kemi fituar të gjithë titujt e mundshëm. Sivjet jemi në garë edhe për titull edhe për Kupë. Paksa kemi mbetur mbrapa, shtatë pikë mbrapa liderit, Ballkanit, por besoj që këto pikë nuk janë që nuk arrihen me punë, me angazhim. Jemi duke punu mjaft mirë, të dielën do të ecim për përgatitje, punët po shkojnë shumë mirë, jemi në garë edhe për Kupën e Kosovës, dhe shpresojmë që t’i arrijmë këto objektiva”, ka thënë Përparim Islami për KALLXO.com.

Edhe Yll Hoxha, mbrojtësi i krahut të majtë, thotë se ekipi po e merr formën maksimale dhe synimet e klubit nga Drenasi janë që të dalin në garat europiane.

“Jemi duke stërvitur çdo ditë që nga data 6 janar. Përgatitjet po shkojnë shumë mirë, është e rëndësishme sepse edhe pushimin e kemi pasur mjaftueshëm gjatë, dhe tani po e marrim veten dhe dita e ditës po hyjmë në formë secili. Normalisht që objektivat tona janë që të dalim në Europë edhe kam shumë besim te skuadra që do të arrijmë prapë që të luajmë në Europë”, tregon synimet e klubit Yll Hoxha.