Ponte Prizreni triumfon ndaj Pejës
Në një ndeshje shumë interesante, Peja është mundur në shtëpi nga Ponte Prizreni me rezultat 95:99, në kuadër të xhiros së dhjetë në Superligën e Kosovës në basketboll.
Vendësit e kanë nisur më mirë ndeshjen, duke e fituar çerekun e parë 23:19.
Çereku i dytë dhe i tretë ishin tërësisht të barabartë, 22:22 dhe 28:28.
Çereku i fundit e përcaktoi fituesin e kësaj përballje. Në këtë pjesë mysafirët ishin më të mirë 22:30, duke fituar në fund me katër pikë dallim, 95:99.
Henrik Sirko ishte më i dalluari te Peja me 26 pikë, tetë kërcime dhe shtatë asistime, kurse pikë dyshifore shënuan Jordan Martin 14, Arbër Berisha 13, Albin Berisha 13 dhe Malcolm Armstead me 11 pikë e 10 asistime.
Te Ponte Prizreni dukshëm më i miri ishte Elliott Cole me 32 pikë, gjashtë kërcime dhe pesë asistime.
Tashmë Peja ka katër fitore dhe pesë humbje, kurse Ponte Prizreni pesë fitore dhe katër humbje.