Llogo e Federates e Futbollit e Kosovës

Policia po trajton kërkesën e FFK-së lidhur me ndeshjen e paralajmëruar mes ekipeve serbe në Kosovë

Policia e Kosovës ka pranuar një kërkesë dhe një informacion nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës në lidhje me ndeshjen e paralajmëruar të zhvillohet më 25 shtator mes KF Trepça nga Mitrovica e Veriut dhe KF Crvena Zvezda nga Beogradi.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Policia e Kosovës ka thënë se ka pranuar kërkesën e FFK-së dhe të njëjtën është duke e trajtuar në aspektin policor.

Dje Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, e cila ka paralajmëruar zhvillimin e ndeshjes të karakterit garues në kuadër të Kupës së Serbisë në qytezën në veri të Kosovës – Zveçan.

Ndeshja e cila planifikohet të luhet është ajo ndërmjet Trepçës nga Mitrovica e Veriut dhe Crvena Zvezdës nga Beogradi.

Në bazë të shortit të tërhequr gjatë ditës së djeshme në Beograd, kjo ndeshje parashikohet të zhvillohet më 25 shtator në Zveçan.

FFK-ja ka kërkuar nga FIFA e UEFA që ta parandalojnë zhvillimin e kësaj ndeshjeje.

“Ftojmë FIFA-n dhe UEFA-n që të reagojnë urgjentisht dhe të mos lejojnë të shkelen statutet e tyre dhe njëherësh të parandalojnë ndonjë skenar të destabilizimit të gjendjes në veri të vendit tonë. Po ashtu kërkojmë nga institucionet e shtetit dhe organet e rendit e të sigurisë që ta trajtojnë me urgjencë këtë çështje dhe të marrin masat e duhura, në mënyrë që të mbrohet integriteti i FFK-së”, thuhet në reagimin e FFK-së.

Gjithashtu në reagim FFK-ja thotë se është organi i vetëm legal për të organizuar gara të futbollit në Kosovë nuk ka dhënë leje për zhvillimin e një ndeshje të tillë dhe këtë e vlerëson si provokim të rëndë nga Federata e Futbollit e Serbisë, derisa fton klubet serbe që ta pranojnë realitetin dhe të regjistrohen në FFK.

“Ne jemi të hapur për t’i përfshirë nën ombrellën tonë të gjitha klubet që veprojnë në Kosovë e që janë të regjistruara në institucionet e vendit, pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Prandaj, i ftojmë klubet serbe që ta pranojnë sa më parë realitetin dhe aktivitetin e tyre ta zhvillojnë në kuadër të garave të rregullta të organizuara nga FFK. Çdo gjë tjetër është mashtrim dhe nuk i dërgon ato në rrugën e zhvillimit dhe perspektivës!”, thuhet në fund të reagimit të FFK-së.