Pirlo për ndeshjen ndaj Sampdorias: Kam zero dyshime dhe shumë qartësi

Juventusi do ta nisë sezonin 2020/2021, ndaj Sampdorias, të dielën mbrëma në  “Alianz Stadium”, në Torino.

Trajneri i kësaj skuadre, Andrea Piro, ka thënë se për ndeshjen e nesërme nuk ka dyshime se kush duhet të luajë.

“Unë ndihem mirë, e rëndësishme është që djemtë të ndihen mirë nesër. Kemi bërë një javë të rëndësishme pune për të përgatitur këtë ndeshje. Kam mjaftueshëm lojtarë për të luajtur ndeshjen e nesërme. Provuam diçka me Novara-n, por këtë javë kemi provuar gjëra të tjera. Kam zero dyshime dhe shumë qartësi. Jam tek Juventus dhe stërvis një skuadër plot me kampionë. Jam gjendur mirë në klub, ka qenë e thjeshtë, por tani fillon kampionati dhe ndeshjet e vërteta”, ka thënë Pirlo.

41 vjeçari pret ndeshje të vështirë ndaj Sampdorias së Claudio Ranierit.

“Pres një ndeshje të vështirë, Ranieri është një trajner i madh. Do të vijnë në Torino me dy linja loje shumë të ngushta dhe do të ketë pak hapësira për të sulmuar. Duhet të jemi të kujdesshëm në kundërsulmet e tyre, por jemi përgatitur. Nuk jam këtu për të treguar diferencat me Sarri-n, secili ka idetë e tij. Në disa situata edhe mund të ketë ngjashmëri, por unë çoj përpara filozofinë time të futbollit. Dua të shoh një futboll agresiv, të jemi padronë të lojës”, ka vlerësuar italiani.

Trajneri i “Zonjës së vjetër”, kërkon nga lojtarët e tij që të jenë bindës nesër ndaj Sampdorias.

“Dua të shoh nga kjo skuadër atë që kemi përgatitur që në fillim. Sjellje pozitive, të jemi zotër të fushës, rekuperim të shpejtë të topit. Këto janë gjërat kryesore mbi të cilat kemi punuar këtë muaj. Po e bëjmë mirë, do të duhet kohë sepse edhe llojet e stërvitjes kanë ndryshuar. Por shoh që në ditët e fundit diçka është futur brenda kokës së djemve”, ka potencuar Andrea Pirlo.

Ish-mesfushori i Juventusit, ka thënë se do të luajë sipas lojtarëve që i ka në dispozicion duke mos pasur një formacion bazë.

“Nuk kam folur asnjëherë për formacionin 4-3-3. Kam thënë gjithmonë se do të hidhemi në fushë sipas lojtarëve që kemi në dispozicion. Mund të luhet edhe pa qendërsulmues, po mendojmë për diçka që mund t’u lejojë të luajnë edhe lojtarët e tjerë ofensivë që kemi. CR7-Kulusevski? Asnjëri nuk do të luajë si “pykë”, do të kërkojnë të luajnë duke parë lëvizjet e njëri-tjetrit”, ka potencuar ai.

Andrea Pirlo është emëruar si trajner i Juventusit si zëvendësues i Maurizio Sarrit dhe në ndeshjen e nesërme ndaj Sampdorias do të debutojë duke e pasur ndeshjen e parë si trajner i një skuadre.

Ballkani e ka mbyllur pjesën e parë me epërsi minimale 0-1, ndaj Besës së Pejës, ndeshje e cila po luhet në kuadër të xhiros së parë në Superligë.