Pirlo kërkon fitore ndaj Interit për të kaluar në finale të Kupës së Italisë

Juventusi është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Italisë me lehtësi, pas fitores me rezultat të thellë 4-0, ndaj Spalit.

Bianconerët do të kenë punë të vështirë në gjysmëfinale e cila luhet me dy ndeshje, duke u takuar me Interin.

“Zonja e Vjetër”, u mposht me rezultat 2-0, nga Interi para dy javë në Serie A, duke bërë paraqitje të dobët.

Trajneri i Juventusit, ka treguar se humbja ndaj Interit është harruar dhe do të kërkojnë finalen e Kupës së Italisë ndaj skuadrës së Contes.

“Ndeshja në Milano ishte në ligë dhe është harruar. Ne do të përballemi në ndeshjet e Coppa Italia me shumë dëshirë për të arritur në finale. Janë ndeshje të ndryshme, ne e anulojmë atë nga e diela e kaluar dhe përgatitemi për tjetrën”, ka deklaruar Pirlo.

Ndeshja e parë do të luhet më 3 shkurt në San Siro, kurse ndeshja e kthimit më 10 shkurt në “Alianz Stadium”.