Peter Schmeichel kritikon UEFA-n për vazhdimin e ndeshjes Danimarkë – Finlandë

Legjenda daneze, Peter Schmeichel nuk është pajtuar me UEFA-n që ndeshja e “Euro 2020” mes Danimarkës dhe Finlandës u vazhdua pas gjendjes së rëndë të mesfushorit Christian Eriksen.

Mesfushori danez, Christian Eriksen ra në fushë pa ndjenja në minutën e 42’, duke bërë që ndeshja të ndërprehej për një kohë të caktuar.

Por, ish-portieri danez, Peter Schmeichel e ka quajtur si vendim të çmendur atë të UEFA-s për ta vazhduar ndeshjen e ndjeshme.

“Është një vendim i çmendur nga UEFA. Është dashur të përpiqeshin për një skenar tjetër dhe të tregonin pak dhembshuri, por nuk e bën këtë”, ka thënë Schmeichel, raporton BBC.

Pasi u konfirmua se gjendja e Eriksenit ishte stabile, të dy ekipet vendosën që së bashku me UEFA-n ta përfundonin të shtunën.

Ndeshja vazhdoi nga ora 20:30, të cilën e fitoi Finlanda me rezultat 1-0.

Peter Schmeichel, babai i portierit danez Kasper Schmeichel ka thënë se lojtarët janë vënë në pozitë të vështirë.

“Do të ishin dy orët më të këqija në kohën time në futboll. Ndodh diçka e tmerrshme si ajo dhe UEFA u jep lojtarëve dy opsione, të dalin të luajnë apo të kthehen nesër në ora 12:00 e të vazhdojnë ndeshjen. Çfarë opsione janë këto? Rezultati i ndeshjes është plotësisht jorelevant. Si mund të luash?” – ka thënë Peter Schmeichel.