Pejania 17 vjeçare, e para në botë që ngjitet në shtatë majat më të larta në botë

Alpinistja e re shqiptare, Mrikë Nikçi, bashkë me të atin, Arianitin sot kanë realizuar me sukses ‘misionin’ për ngjitjen në shtatë majat më të larta në shtatë kontinentet e botës.

Ata përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook “Mrika Seven Summits”, ka bërë të ditur se janë ngjitur në majën ‘Carstensz Pyramide’ në  Indonezi, në lartësi prej 4,884 metra lartësi mbidetare.

Mrika Nikçi ka thënë se është vajza më e re në botë që ka ngjitur shtatë maja ende pa i mbushur 18 vjet.

“E SHTATA PREJ TË SHTATAVE 7/7. Carstensz Pyramide – 4884 lmd, Indonezi. Mrika Nikçi – 17 vjeçarja pejane, tashmë e njohur si Mrikë Malësorja, me dt. 15.08.2019, në ora 9:45 me kohën lokale, së bashku me partnerin e saj të ngjitjes – babain e saj Arianit Nikçi, kanë ngjitur majën e Carstensz Pyramide në Indonezi, duke kompletuar kështu ngjitjen në 7 Majat më të larta të shtatë kontinenteve në botë. Mrika sapo bëri historinë, në njërën anë duke u bërë femra më e re në tërë botën që pa mbushur 18 vjet të kalojë misionin e 7 Majave dhe, në anën tjetër së bashku me babain e saj, bëhen shqiptarët e parë në botë si babë e bijë ta kalojnë me sukses këtë mision, i cili paraqet një arritje kulminante në alpinizëm”, kanë njoftuar ajo në Facebook.