Peja kalon në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës

KB Peja ka triumfuar ndaj Ponte Prizrenit, me rezultat 97-86, në kuadër të çerekfinales së Kupës së Kosovës e quajtur ‘Oso Termosistem Final 8’.

Ndeshjet e ‘Final 8’ janë duke u luajtur në palestrën “Mizahir Isma”, në Rahovec.

Pejanët e nisën ndeshjen mirë, pasi e fituan çerekun e parë me rezultat 19-13.

‘Verdhë e Zinjtë’ ishin më të mirë edhe në çerekun e dytë duke e fituar me rezultat 32-21, duke shkuar në pushim me rezultat 52-34.

Peja edhe në dy çerekët e fundit arriti ta ruaj epërsinë e krijuar në pjesën e parë duke e fituar ndeshjen me rezultat 97-86.

Te Peja u dalluan Henrik Sirko me 26 pikë e 18 kërcime dhe Nigel Johnson me 26 pikë.

Kurse te Ponte Prizreni më të mirët në parket ishin Andre Wolford me 19 pikë e 11 kërcime dhe Urim Zenelaj me 14 pikë e 11 kërcime.

Peja në gjysmëfinale ndeshet me fituesin e ndeshjes Rahoveci-Trepça.