Pas koreve raciste, Bullgaria kërkon shkarkimin e kreut të federatës së futbollit

Qeveria në Sofje i ka shkëputur lidhjet me Unionin Bullgar të futbollit dhe ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Federatës së Futbollit pasi që ndeshja kualifikuese e ekipit kombëtar në Euro 2020 me Anglinë u dëmtua nga abuzimi racist i tifozëve bullgarë.

 

Kryeministri i Bullgarisë  Boyko Borissov të martën e urdhëroi Ministrinë e Sportit të shkëpusë të gjitha lidhjet me Unionin Bullgar të futbollit, duke përfshirë fondet e shtetit, derisa presidenti i Borislav Mihaylov të japë dorëheqje.

Ministri i Sportit Krassen Kralev njoftoi se pas ndeshjes kualifikuese në Euro 2020 me Anglinë në Sofje të hënën në mbrëmje, futbollistët anglezë u abuzuan në baza racore nga fansat bullgarë ndërsa ndeshja përfundoi me një humbje të turpshme 0-6 për ekipin kombëtar bullgar.

“Pas incidentit të djeshëm, kryeministri urdhëroi që nga sot ne t’i shkëpusim të gjitha lidhjet me Unionin Bullgar të Futbollit, duke përfshirë edhe ato financiare, deri në dorëheqjen e presidentit të Unionit, Borislav Mihaylov”, tha Kralev për gazetarët.

Kralev e mohoi që shteti po ndërhyn në punën e federatës së futbollit, gjë që nuk është e lejuar nga organi drejtues botëror i futbollit, FIFA, apo nga organi i tij drejtues evropian, UEFA.

“Për momentin jemi duke thënë se ne kërkojmë një dorëheqje për shkak të situatës së përgjithshme të futbollit në Bullgari dhe incidenteve të djeshme. Kjo është. Është e qartë dhe e thjeshtë. Shteti nuk mund të tolerojë sjellje të tilla më”, tha ai.

Ndeshja e të hënës u desh të ndalej dy herë në pjesën e parë nga gjyqtari kroat Ivan Babek në përputhje me protokollin e UEFA-së për trajtimin e racizmit, pasi tifozët bullgarë u drejtoheshin lojtarëve me ngjyrë të ekipit të Anglisë, me zhurma majmunësh si dhe bënin përshëndetje naziste.

Përkundër abuzimeve, skuadra angleze e udhëhequr nga menaxheri Gareth Southgate, vendosën që të qëndrojnë në fushë dhe shënuan një fitore bindëse me gjashtë gola- humbja më e thellë në historinë e ekipit bullgar në vendin e tyre.

Gjatë pushimit mes pjesëve u bë një njoftim publik në lidhje me rregullat e UEFA-s duke paralajmëruar se loja do të ndalet plotësisht nëse nuk ndalet abuzimi racist.

Incidenti provokoi zemërim midis zyrtarëve anglezë të futbollit, të cilët kërkuan të merren masa ndaj atyre që ishin në krye të ndeshjes në Bullgari.

Incidenti i të hënës nuk është precedent për ekipin e Bullgarisë, i cili ka një histori të abuzimit racist nga tifozët e futbollit kombëtar.

Një pjesë e stadiumit kombëtar Vassil Levski u mbyll për ndeshjen e së hënës pas incidenteve të ngjashme gjatë lojërave kundër Kosovës dhe Republikës Çeke në qershor.

Në një letër dërguar presidentit të UEFA-s Theodore Theororidis, më 10 tetor, presidenti i Unionit Bullgar të futbollit Borislav Mihaylov protestoi për komentet e Southgate duke i quajtur ato “fyese” dhe “etiketim të pa justifikuar” të tifozëve bullgarë.