Pamje nga festa e çmendur e Real Madridit në zhveshtore pas triumfit në Ligën e Kampionëve

Real Madridi ka festuar çmendurisht triumfin në Ligën e Kampionëve për vitin 2022, pas fitores në finale ndaj Liverpoolit.

Los Blancos kanë fituar me rezultat minimal 1-0 ndaj Reds në finalen e së shtunës mbrëma në stadiumin Stade de France në Paris.

Goli i vetëm në fitoren e ekipit të Carlo Ancelottit erdhi në minutën e 59-të me anë të Vinicius Junior.

Ky triumf bëri që Real Madridi të vazhdojë të shkruaj historinë duke koleksionuar trofeun e 14-të në histori të Ligës së Kampionëve.

Fitorja ka gëzuar pa masë futbollistët e Real Madridit, stafin dhe të gjithë drejtuesit, pasi erdhi pas shumë ndeshjeve të forta.

Mbretërit arritën të eliminojnë klube si Paris Saint-Germain, Chelsea dhe Manchester City, para Liverpoolit në finale.

Trofeu i 14-të u festua në mënyrë të çmendur nga të gjithë dhe faqja zyrtare e Real Madridit ka vendosur t’i publikojë disa video.

Atmosfera mbahej nga emra si David Alaba, Eder Militao dhe Marcelo, por edhe të tjerët shiheshin të lumtur dhe duke vallëzuar. /Telegrafi