Palestra e 'bretkosave' në Istog

Ende pa përfunduar mirë punimet e Palestrës së Sporteve, në Istog, vendi ka filluar të shkatërrohet.

Afër palestrës kanë lulëzuar therrat, vendi është rrethuar me ujë dhe është shndërruar në vendbanim i bretkosave.

Mungesa e një salle sportive, më së shumti ka ndikim tek sportistët e kësaj komune.

Salla kishte filluar të ndërtohej që 13 vite, punimet e vrazhda kishin përfunduar, por objekti në tërësi nuk është përfunduar ende.

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, kishte premtuar se sportistët e kësaj komune, do ta kenë palestrën e përfunduar, në 6 mujorin e parë të vitit 2019. Por, edhe pse jemi në muajin tetor, palestra nuk ka përfunduar ende.

Gjendja përreth palestrës së përfunduar në Istog
Gjendja përreth palestrës së përfunduar në Istog
Gjendja përreth palestrës së përfunduar në Istog
Gjendja përreth palestrës së përfunduar në Istog

Në lidhje me atë se çfarë ka bërë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për përshpejtimin e punimeve KALLXO.com nuk ka marrë përgjigje.

Drin Sadikaj, Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rinisë dhe Sportit, në Istog, tha se palestra do të përfundoj këtë vit dhe se shkak i vonesës është ankesa e një kompanie në lidhje me fituesin e tenderit për fazën përfundimtare.

“Salla e sporteve besoj se do të përfundoj këtë vit, por kemi vonesa për shkak se jeni në fazën e ritenderimit është shpallur fituesi, por ka ankesë nga një kompani tjetër në lidhje me fituesin e tenderit për fazën përfundimtare”, tha Sadikaj.

Ndërprerja e kontratës me ‘Decor-Al’, e cila është marrë me punimet e palestrës, është bërë me 1 maj 2019, dhe në korrik është hapur tenderi për fazën përfundimtare të saj.

T’i afrohesh Palestrës është pothuajse e pamundur kjo për shkak të gjendjes së jashtme të objektit, e cila është e rrethuar nga therrat, uji dhe bretkosat.

Kjo sipas Drejtorisë për Kulturë, Rinisë dhe Sportit, në komunën e Istogut, është sepse tani është hapur tenderi për përmirësimin e infrastrukturës, rregullimin e parkingjeve dhe gjelbërimit dhe se më herët nuk kanë ndërmarrë asgjë.

“Infrastruktura e jashtme e objektit ka mbetur ashtu që nga viti 2008. Tani është hapur tenderi për përmirësimin e infrastrukturës dhe rregullimin e parkingjeve dhe gjelbërimit”, ka deklaruar Drin Sadikaj.

Në mungesë të një Palestre, Klubi i Hendbollit, i vajzave të Istogut, detyrohet që ushtrimet t’i bëjë në sallën e Shkollës Fillore ”Bajram Curri”, në Istog dhe në ‘Karagaq’, në Pejë, në bazë të mundësive për mbulimin e shpenzimeve, tha trajneri i këtij klubi, Faruk Shala.

“KHF Istogu i zhvillon stërvitjet në shkollën fillore “Bajram Curri”, por para ndeshjeve ndërkombëtare i zhvillojmë në Pejë, aq sa kemi mundësi me pagu palestrën dhe me i bartë shpenzimet e udhëtimit”, tregoi Shala.

Me gjithë arritjet e këtij klubi, asnjëherë nuk kanë pasur mundësi të zhvillojnë garë në qytetin e tyre, para publikut të tyre, pasi ndeshjet i zhvillojnë në qytetet tjera edhe kur janë vendas.

Mungesa e një palestre, ka ndikuar që ky klub të ketë probleme në realizimin e stërvitjeve kualitative, e posaçërisht gjatë kohës së dimrit, u shpreh trajneri Faruk Shala.

“Ne kemi 15 vite që funksionojmë dhe asnjëherë nuk kemi pas palestër sportive. Normalisht që kjo është shumë e vështirë dhe ka ndikuar dukshëm edhe në rritjen e nivelit organizativ dhe kualitetit në klub. Është shumë e vështirë që të realizojmë stërvitje kualitative kur mungojnë kushtet për punë, vështirësitë gjatë kohës së dimrit, por edhe fakti që të gjitha ndeshjet duhet t’i zhvillojmë nëpër qytete tjera edhe kur jemi vendas, qoftë në ligën e Kosovës qoftë në kupat evropiane ku ne marrim pjesë”, tha Shala.

Komuna e Istogut, nuk po ua mundëson sportistëve të kësaj komune një palestër që disa vite.

“Komuna e Istogut – Drejtoria për Kulture, Rini dhe Sport i mbështet të gjitha Klubet e Komunës me subvencione për zhvillimin e garave në kampionatet e Kosovës dhe jashtë Kosovës”, tha Drin Sadikaj.

Faruk Shala, trajner i ‘KHF Istogu’

Këto përkrahje sipas trajnerit të KHF Istogut, Faruk Shala, janë rritur me arritjen e rezultateve, por këto dy vitet e fundit kanë përkrahje jo të mjaftueshme dhe jo në nivelin meritor.

“Komuna e ndihmon klubin, fillimisht kjo përkrahje ka qenë simbolike, por me arritjen e rezultateve kjo përkrahje është rritur dukshëm. Në vitin 2017 kur për herë të parë kemi marrë pjesë në kupa të Evropës kemi pas përkrahjen më të madhe. Pastaj kjo përkrahje ka filluar të bjerë nëse flasim me shifra në këto dy vitet e fundit, kemi një përkrahje solide, por jo e mjaftueshme në nivel meritor dhe të mundësive, ngase jemi klubi më i mirë sportiv”, tha Shala.

KHF Istogu, është i vetmi klub që merr pjesë në kupat e Evropës dhe nuk ka një palestër sportive e adresë të klubit, problem ky që ju shkakton shpenzime më të mëdha.

Megjithatë mungesa e një palestre nuk i ka ndalur që ky klub të shpallet kampion i Kupës së Republikës së Kosovës në Hendboll, 2019.

Historiku i investimeve

Në vitin 2017, Komuna e Istogut ka nënshkruar marrëveshje me MKRS-n, ku janë ndarë 600,000.00 për “Fazën përfundimtare të ndërtimit të palestrës së sporteve”, në Istog. Projekti për ndërtimin e kësaj palestre ka filluar me 19,000.00 euro, të Komunës së Istogut.

Ndërsa, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për Fazën e Parë kishte ndarë 333,000.00 euro.

Për Fazën e Dytë të ndërtimi të kësaj palestre, MAPL, ka kontribuar 100,000.00 euro.

Kontrata për “Fazën finale të palestrës së sporteve, në Istog”,  e hapur në qershor, të këtij viti, parasheh vlerën e 350,000.00.

Se sa është shpenzimi total në këto vite për këtë palestër, KALLXO.com, ka pyetur Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Punëkryesi i punëve të vrazhda të Palestrës së Sporteve, në Istog, ka qenë ‘Ma.con shpk’, pronՃ e familjarëve të kryetarit të Istogut Haki Rugova. Ndërsa në “Fazën e Dytë”, punëkryes ka qenë ‘Unicom & Daja Rrah’ – Suharekë.

Albina Rugova, kapitenia e Klubit Hendbollit të Istogut,  tha për KALLXO.com, se mungesa e një palestre po i detyron ata të bëjnë ushtrime në një sallë basketbolli dhe po ndikon në stërvitjet që i bëjnë.

“Është e vështire mos me pasë një palestër, pasi që ne asnjëherë nuk po kemi mundësi  me zhvillu stërvitjet në mënyrë të rregullt e le më lojë. Pasi që ushtrojmë në një fushë basketbolli,  ajo nuk  i ka masat e një fushe hendbolli”.