Nuhiu nga karantina: Kampionati duhet të rinisë, nuk do të ishte reale të ndërpritej

Të gjitha aktivitetet sportive në Kosovë janë pezulluar prej 13 marsit si masë për parandalimin e coronavirusit.

Sporti më i popullarizuar në Kosovë është futbolli. Sezoni 2019/2020 po llogaritej si njëri prej sezoneve më interesant shkaku i diferencës së ngushtë në kreun e tabelës.

Por, shkaku i coronavirusit, futbolli në Kosovë është pezulluar, kurse trajnerët janë të detyruar që nga shtëpitë e tyre t’i japin udhëzimet lojtarëve se si ta mbajnë formën.

KALLXO.com ka realizuar një intervistë me trajnerin e Dritës, Ardian Nuhiu.

Nuhiu ka treguar se si është duke i kaluar këto ditë në terapi, çfarë mendimi ka për kampionatin, a duhet të rinisë, apo të ndërrohet formati. Ai, po ashtu, ka treguar se përveç sportit si po e kalon kohën ndryshe.

41 vjeçari tregon se po i respekton rregullat maksimalisht duke qëndruar në shtëpi.

“Mundohem maksimalisht të respektoj rregullat e dhëna nga institucionet. Në raste të tillat duhet të tregojmë vetë disiplinë, në momentin që tregohemi të disiplinuar në kujdesemi për veten, familjen tonë dhe gjithë njerëzit duke mos lejuar që të vijë deri te rasti i ndonjë infektimi nga virusi në këtë moment”, tregon Nuhiu.

Timonieri i skuadrës gjilanase tregon se pjesën më të madhe të ditës e kalon duke qëndruar në shtëpi. Ai po ashtu po i rishikon ndeshjet e Dritës edhe një herë që t’i ketë të qarta idetë e tij.

“Pjesën më të madhe të ditës e kaloj duke qëndruar në shtëpi përveç kohës kur duhet të furnizohemi me ushqim. Edhe pse ka qenë e vështirë, të mendohet për futboll në këtë kohë pandemi, jam munduar në disa raste t’i rishikoj ndeshjet tona që të qartësoj idetë. Tani duhet të mendojmë shpresën se këtë veri do të jemi në fushë edhe pse me shumë mundësi mes këtij sezoni dhe tjetrit do të luajmë për 14-15 muaj futboll”, thotë Nuhiu.

Futbollistët e Dritës janë duke vazhduar të stërviten. Nuhiu i cilëson si profesionistë futbollistët e tij duke thënë se stërvitja u shërben atyre.

“Patjetër se futbollistët po vazhdojnë me punë, çdo ditë ata marrin plan-programin nga ana e stafit se çka duhet punuar. Ne kemi besim të plotë se ata po i kryejnë me përpikmëri obligimet. Kemi futbollistë me eksperiencë dhe të gjithë janë të vetëdijshëm se ata duhet të ruajnë përgatitjen fizike, të gjithë janë profesionistë dhe futbollistë me karakter. Ata janë të bindur se gjithçka që bëjnë do t’u shërbejë vetëm atyre dhe dua që ta bëjnë me dëshirë dhe jo detyrueshëm”, potencon Nuhiu i cili në këto ditë karantine po qëndron në shtëpinë e tij në Shkup.

Masat e reja të vendosura nga Qeveria që të lëvizet vetëm 90 minuta brenda ditës, Nuhiu tregon se u kanë sjellë probleme futbollistëve, pasi ia pamundëson atyre që të stërviten së bashku në grupe.

“Po përballen me vështirësi orari, sidomos tani që iu lejohet të jenë jashtë më pak se dy orë, por çdonjëri e bën planin e vet për ta shfrytëzuar këtë orar për stërvitje. Të stërvitesh në mënyrë individuale, të ruash gjendjen fizike, por jo edhe atë sportive, stërvitje të tilla janë edhe të lodhshme për futbollistët nga ana psikologjike”,  thotë Nuhiu duke këmbëngulur se stërvitjet individuale janë të lodhshme nga ana psikologjike.

Trajneri i ish-kampionit të Kosovës thotë se pauzat e gjata nuk janë të mira për futbollistët e tij.

“Pauza e gjatë nuk është e mirë për futbollistët, por ata janë shëndosh e mirë, po stërviten dhe po presin momentin e rikthimit. Përveç pauzës e dimë se shumë pak  kohë do të na jepet për të rinisur kampionati, për këtë arsye janë me rëndësi stërvitjet individuale që ata të kenë bazën e fazës përgatitore dhe në momentin që marrim dritë jeshile për të punuar, te kemi mundësinë ne trajnerët të fillojmë të punojmë me intensitet më të lartë për ta arritur sa më shpejt te forma e tyre”, potencon Nuhiu.

Ardian Nuhiu mendon se kampionati duhet të rinisë. Për të nuk do të ishte reale që të ndërpritej kampionati.

“Kampionati patjetër duhet të rinisë. Nuk do të ishte reale një ndërprerje për asnjë ekip. Ndërprerjen nuk e dëshiron asnjë ekip në këtë rast, qoftë edhe ekipi i cili është në pozitën e parë”, thotë Nuhiu me vendosmëri.

Drita e Nuhiut është vetëm një pikë prapa liderit – Ballkanit,  41 vjeçari nuk e sheh të drejtë që të ndërrohet sistemi i garave për këtë sezon. Ai insiston se kampionati duhet të vazhdojë sipas sistemit që ka qenë duke u zhvilluar.

“Mendoj se kampionati duhet të vazhdojë sipas sistemit që kemi qenë duke e zhvilluar. Nuk e shoh të drejtë që gjatë rrugës të ndërrohet sistemi edhe pse jemi para një gjendje të jashtëzakonshme”, insiston Nuhiu.

Qëndrimi në karantinë ëshë sfidë në vete, pasi mund të shtosh peshë, por Nuhiu thotë se po ushqehet shëndetshëm dhe po stërvitet në mënyrë që mos të dalë më i shëndoshë nga karantina.

“Jam  shumë i kujdesshëm që mos të shtoj peshë. Gjatë karantinës po gjejmë kohë edhe për një stërvitje në kushte shtëpie të bëjmë dhe më e rëndësishme mundohem që të ushqehem shëndetshëm. Sa për gatimin, nuk jam edhe i keq, por gjithmonë qëndroj tek gjërat e shëndetshme”, tregon Nuhiu.

Filmin “Badla” Nuhiu e sygjeron që ta shohim në këto ditë karantine.

“Po kemi kohë edhe për filma edhe për libra. Filmi i cili më ka pëlqyer më tepër ka qenë “Badla” edhe ju syugjeroj që ta shikoni, kurse sa i përket leximit në këtë periudhë, përveç librave të profesionit tim po lexoj edhe libra psikologjikë”, ka zbuluar për fund Ardian Nuhiu.

Ardian Nuhiu, te Drita ka ardhur më 17 shtator të vitit 2018 si ndihmëstrajner i Shpëtim Duros.

Kurse drejtimin e ish-kampionëve të Kosovës e ka marrë më 10 shkurt të vitit 2019.