Foto: FC Prishtina/Facebook

Një ditë para ndeshjes, flasin trajnerët e Prishtinës dhe Drenicës

Futbolli në Kosovë do të nisë me ndeshjen Prishtina – Drenica, e cila luhet në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës.

Prishtina – Drenica, luhet më 2 qershor, në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.

Futbollistët e klubeve të Superligës stërvitjet intensive i kanë nisur qe dy javë, në mënyrë që të përgatiten për rifillimin e Superligës dhe ndeshjet e kupës.

Trajner i Prishtinës, Armend Dallku, në një bisedë për KALLXO.com, ka treguar është i kënaqur me punën e lojtarëve të tij.

“Jemi munduar të bëjmë maksimumin për ta përgatitur skuadrën. Më gëzon fakti që në ekip kam djem profesionistë që gjatë pandemisë iu kemi dhënë plan-programin individual që ta kryejnë dhe në momentin që na është lejuar stërvitja në grupe, kemi parë që djemtë e kanë përmbushur plan-programin individual që e kanë pasur”, ka thënë Dallku.

Armend Dallku, thotë se stërvitjet e lojtarëve të tij kanë ecur mirë për kohën që e kanë pasur në dispozicion, ani pse nuk janë në 100 përqindëshin e tyre.

Armend Dallku

“Stërvitjet kanë ecur shumë mirë, jemi të kënaqur normalisht nuk mund të themi që jemi 100% të kënaqur sepse kemi pasë pak kohë për përgatitjen e ekipit, mirëpo këto ditë që i kemi pasur në dispozicion i kemi shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme”, vlerëson trajneri vushtrrias.

Ish-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë thotë se në ndeshjen e nesërme ndaj Drenicës, kërkon vetëm fitore, që në ndeshjen e kthimit në Skenderaj të shkojnë me avantazh të rezultatit.

“Ndeshje e vështirë dueli me Drenicën, mirëpo ne kemi vetëm një qëllim, kalimin në finale dhe normalisht që do të mundohemi që në ndeshjen e parë të kemi rezultat të mirë, që në ndeshjen e kthimit të shkojmë me avantazh”, potencon Armend Dallku.

I pyetur se a është Prishtina favorite ndaj Drenicës, trajner i kryeqytetasve, thotë se nuk ka dallim në futbollin e sotëm, pavarësisht se në letër cilësohen si favorit.

“Në futbollin e sotëm nuk ka shumë dallim në mes të skuadrave, pavarësisht që në letër jemi favorit, nuk mendoj ashtu unë, sepse neve na mbetet të punojmë shumë gjatë ndeshjes dhe të kalojmë tutje”, komenton 36 vjeçari.

Kurse, trajneri i Drenicës, Gani Sejdiu, për KALLXO.com, ka deklaruar se e pret një ndeshje e vështirë ndaj Prishtinës, që për synim e kanë të mos dalin të pamposhtur nga stadiumi “Fadil Vokrri”.

Gani Sejdiu

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, në një moment jo të përshtatshëm për ne, për shkak të kohës shumë të shkurtër për përgatitje, por pavarësisht kësaj ne do të hymë në këtë takim të mobilizuar maksimalisht dhe të motivuar, edhe pse e dimë se kemi përballë Prishtinën një ndër skuadrat më cilësore në vend. “Ne do  të ishim të kënaqur nëse nuk do të humbnim, sepse pastaj në takimin kthyes do të kishim gjasa për kualifikim”, ka thënë Gani Sejdiu për KALLXO.com.

Ndeshjet e kthimit të gjysmëfinaleve në Kupën e Kosovës, do të luhen më 17 qershor.

Ndeshja tjetër gjysmëfinale e kupës është ajo ndërmjet Ballkanit dhe Feronikelit.

Kampioni aktual i Kupës së Kosovës është skuadra nga Drenasi, Feronikeli.

Trajneri i Drenicës flet para ndeshjes ndaj Prishtinës