Elivra Dushku – Sekretare e Përgjithshme e FBK-së

Nis punën Qendra Nacionale e Basketbollit, vitin e ardhshëm do të nis edhe në konkurrencën e vajzave

Federata e Basketbollit të Kosovës me 19 tetor ka nisur implementimin e projektit të Qendrës Nacionale të Basketbollit.

Elvira Dushku, sekretare e Federatës së Basketbollit të Kosovës thotë për KALLXO.com se projekti i nisur me 19 tetor është projekt që ka mbledhur basketbollistët më të mirë nga të gjitha qytetet e Kosovës.

“Projekti i Qendrës Nacionale të Basketbollit ka filluar të implementohet nga data 19 Tetor, kur edhe basketbollistët që vijnë nga qytetet tjera të Kosovës janë akomoduar nga Federata e Basketbollit të Kosovës në Prishtinë, si dhe në të njëjtën kohë jemi përkujdesur për sistemin e tyre nëpër shkolla, kurse basketbollistët që janë nga Prishtina janë të akomoduar nëpër shtëpitë e tyre” ka thënë Dushku për KALLXO.com

Sekretarja Dushku thotë që basketbollistët e grumbulluar janë përzgjedhur në bashkëpunim në mes të drejtori teknik në FBK, koordinatorit të Qendrës Nacionale të Basketbollit si dhe nga trajneri kryesor i qendrës.

“13 basketbollistë janë të grumbulluar nga e gjithë Kosova, derisa përzgjedhja e tyre është bërë nga Drejtorit Teknik i FBK-së, Arben Krasniqi, Koordinatori i Qendrës Nacionale, Driton Obërtinca si dhe Trajneri kryesor i Qendrës, Valentin Spaqi por gjithsesi edhe në koordinim me trajnerët e tjerë nga e gjithë Kosova. Pra janë përzgjedhur basketbollistët U15 më të talentuar në Kosovë” ka thënë sekretarja e FBK-së.

Ky projekt pritet të zgjatë 4 vjet dhe vitin e ardhshëm pritet të fillojë edhe në konkurrencën e vajzave thotë Dushku.

“Qendra Nacionale e Basketbollit është projekt 4 vjeçar i FBK-së, por është një projekt që FBK do të vazhdoj ta fuqizojë sa më shumë, duke i inkurajuar kështu të gjitha klubet në Kosovë për të punuar sa më shumë me basketbollistët e tyre në mënyrë që për çdo vit të shpresojnë se ata do të bëhen pjesë e Qendrës Nacionale”, shtoi ajo.

Dushku ka treguar se të gjitha shpenzimet për basketbollistët po mbulohen nga Federata e Basketbollit të Kosovës.

“Federata e ka marrë përsipër mbulimin e të gjitha kostove të jetesës dhe stërvitjes për vijuesit e Qendrës Nacionale, duke zbarkuar kështu në njërin prej projekteve më të mëdha dhe më të kushtueshme të saj, të gjitha me qëllim të krijimit të kushteve optimale të punës për Qendrën Nacionale” thotë Dushku

FBK synon që nga viti i ardhshëm të dyfishohet numri i pjesëmarrësve në këtë qendër.

“Nga shtatori 2022, numri i vijuesve do të dyfishohet me prurje të reja dhe puna do të intensifikohet edhe më tej, e gjitha me qëllimin që brenda tri vitesh të arrijmë të kemi për çdo vit nga 32 vijues të rinj në programin e Qendrës Nacionale të Basketbolli” ka thënë për KALLXO.com sekretarja e FBK-së.

Nis punën Qendra Nacionale e Basketbollit