Nis Java Europiane e Sportit në Kosovë

Sot në Kosovë ka filluar Java Europiane e Sportit, e cila organizohet edhe në vendet e tjera europiane nga 23 deri më 30 shtator.

Ky është viti i tretë radhazi që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe federatat e sportit e organizojnë këtë ngjarje e cila ka për qëllim të promovojë sportin dhe aktivitetin fizik si dy aspekte të rëndësishme për shëndetin.

Hapjen e Javës Europiane të Sportit e bëri ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi duke e cilësuar si një ngjarje shumë të rëndësishme.

“Hapja e Javës Evropiane të Sportit po fillon me Forumin për Sportin, dhe nga sot e deri më 30 shtator në Kosovë do të organizohen aktivitete sportive dhe fizike, të cilat kanë për qëllim aktivizimin e qytetarëve që të mos jenë pasiv, por të merren me aktivitete që janë të dobishme për shëndetin, siç është sporti. Përmes Forumit për Sportin përfaqësuesit e lartë të sportit, kontribuuesit, biznesmenët, institucionet qendrore dhe ato lokale, gazetarët sportivë dhe të gjithë ata që kanë kontribuuar në forma të ndryshme në sport gjate kësaj periudhe pandemie, në mënyrë që bashkërisht të diskutojnë problemet e shumta që preokupojnë sportin dhe te nxirren rekomandime”, tha Dumoshi.

Në aktivitetin e parë të Javës “Formunin për Sportin”, u diskutuan tema që trajntojnë avancimin e sportit si Ligji për Sponorizim, kategorizimi i sportit, sportëve dhe trajnerëve, qeverisje e mirë në sport, barazia gjinore, etj.

Dumoshi ka thënë e bindur se përkrahja e MKRS-së për sportin në kohë pandemie është bërë me kujdes të veçantë.

. “Prioritet i MKRS edhe ketë vit janë investimet që janë duke u realizuar në Modernizimin e Infrastrukturës sportive. Këto investime kalojnë shumën e 19 milion euro në mbi 80 projekte infrastrukturore, në te gjitha komunat e Kosovës duke u realizuar në Stadiume, Palestra, Fusha të Tenisit, Pishina, Poligone sportive, Shtigje te Atletikes, ku përfitues janë edhe komunat e komuniteteve dhe tërë këto investime të MKRS-së ndikon edhe në Masivizimin e sportit në përmbushje të objektivit “Sport për te gjithë”, ka potencuar Dumoshi.

Besim Hasani, president i KOK-ut, ka thënë se Komiteti Olimpik i Kosovës me kënaqësi ka pranuar për këto vite organizimin e këtij forumi sportiv.

Kjo ngjarje ka për synim që të mblidhen më shumë njerëz por që në Kosovë nuk po arrin të mblidhen shumë. Prindërit duhet që ta marrin për dore e ta dërgojnë në ndonjë klub, siç e dërgojnë në shkollë”, ka thënë Besim Hasani.