Nga lufta e përgjakshme ballkanike tek lavdia e Kupës së Botës: Të bërit e Kroacisë një komb futbolli

Panamaja, Mauritania, Gjeorgjia dhe Eritrea janë katër shtete me madhësi afërsisht ekuivalente të popullsisë së Kroacisë.

Këto katër shtete së bashku e kanë vetëm një paraqitje në Kupën e Botës, dhe kjo ishte kur Panama u kualifikua në botërorin Rusi 2018, duke përfunduar fazën e grupeve me tri humbje dhe duke pranuar 11 gola.

Prejardhja e Kroacisë në Kupën e Botës është një histori krejtësisht e ndryshme. Në gjashtë paraqitje në Kupën e Botës, Kroacia ka arritur në gjysmëfinale në tri raste, ndërsa katër vjet më parë Kroacia ishte finaliste, duke humbur përfundimisht nga Franca.

Kroacia fitoi pavarësinë në vitin 1991, gjatë luftës së përgjakshme ballkanike e cila zgjati deri në vitin 1995 dhe popullsia e saj është diç më pak se katër milionë, dhe ndoshta nuk do ta kishit ditur asnjëherë marrë parasysh mënyrën se ia doli me fitore historike në përballje me superfuqinë e futbollit Brazilin në çerekfinale, popullsia e së cilës është 214 milionë.

Kundërshtari i radhës për Kroacinë është Lionel Messi dhe Argjentina – popullsia: 45 milionë.

Igor Štimac, i cili luajti në të gjitha ndeshjet e Kroacisë në Kupën e Botës 1998 kur edhe zuri vendin e tretë, i tha CNN se historia e fundit e Kroacisë ka ndihmuar të luajë një rol në krijimin e konkurrentëve elitarë.

“Populli ynë kaloi nëpër shumë vështirësi në mbijetesën e tij, në pavarësinë e tij, duke luftuar për të, në agresionin që pësuam nga fqinjët tanë”- tha për CNN Štimac, i cili udhëhoqi ekipin kombëtar të Kroacisë midis viteve 2012-13.

“Këto gjëra po na ndihmojnë të qëndrojmë të fortë mentalisht, me disiplinë të madhe, të qëndrojmë të përulur dhe të mbijetojmë me krenari, pavarësisht nga vështirësitë që kemi përpara.

“Por nuk mund të themi se vetëm lufta e fundit që ka ndodhur këtu ka ndihmuar në këto gjëra, sepse luftërat kanë vazhduar në këtë rajon për shumë raste. Është diçka edhe për këtë rajon për sa i përket klimës, për sa i përket kulturës”.

Gazetari kroat i futbollit Srđan Fabijanac, i cili ka qenë në terren në Doha për të parë këtë përsëritje aktuale të ekipit kombëtar, thotë se harmonia e skuadrës ka rezultuar jetike në një tjetër Kupë Botërore të jashtëzakonshme për ‘Vatreni’.

Fabijanac e quan ekipin – të ndërtuar me një përzierje eksperience nga Luka Modrić, Ivan Perišić dhe Dejan Lovren me fytyra të reja si Joshko Gvardiol dhe Borna Sosa – si një “familje”.

“E patë se çfarë ndodhi në këtë Botëror; Brazili ka lojtarë të shkëlqyer, Portugalia ka lojtarë të shkëlqyer, Gjermania ka lojtarë të shkëlqyeshëm, por për mendimin tim, ata kanë shpirt dhe nuk kanë një ekip”- tha Fabijanac për CNN. “Ky është problemi. Kroacia është shumë e fortë si ekip”.

Nga rrënojat

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, lëvizjet demokratike përfshinë pjesën më të madhe të Evropës Lindore, përfshirë Jugosllavinë. Me zgjedhjen e qeverive jokomuniste në katër nga gjashtë republikat e Jugosllavisë, Federata filloi të shpërbëhet dhe ndarjet etnike u rishfaqën.

Deri në vitin 1991, republika e begatë kroate u përpoq të krijonte një konfederatë të lirshme ose ta shpërbënte tërësisht bashkimin. Serbia më pak e pasur e kundërshtoi këtë. Në qershor të vitit 1991, Sllovenia dhe Kroacia shpallën pavarësinë.

Luftimet filluan shpejt pasi ushtria jugosllave, e përbërë kryesisht nga serbët, u përpoq ta pengonte Slloveninë t’i krijonte postat e veta kufitare. Në korrik, luftimet shpërthyen gjithashtu midis forcave kroate dhe milicëve serbë.

Ndër republikat e tjera, vetëm republika më e vogël – Mali i Zi – anoi me Serbinë. Dy republikat e mbetura, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia, votuan në favor të pavarësisë.

Në vitin 1992, minoriteti serb në Bosnje, i ndihmuar nga ushtria federale, u përpoq të krijonte enklava për vete, duke rrethuar Sarajevën.

Në kohën kur Kombet e Bashkuara e larguan Jugosllavinë nga Asambleja e Përgjithshme e saj, rreth 20,000 njerëz kishin vdekur dhe deri në dy milionë ishin bërë refugjatë nga luftimet dhe “spastrimi etnik”.

Në vitin 2018, Lovren rrëfeu kujtimet e tij të arratisjes si fëmijë i vogël nga Bosnja e shkatërruar nga lufta në vitin 1992.

“Më kujtohet vetëm kur u ndezën sirenat”[- tha Lovren. “Isha shumë i frikësuar sepse po mendoja ‘bomba’ ose se diçka do të ndodhë tani”.

“Mbaj mend që mamaja ime më mori dhe shkuam në bodrum, nuk e di sa kohë kishim që ishim ulur atje, mendoj se kaloi derisa u ranë sirenat. Më pas, më kujtohet mamaja, xhaxhai im dhe gruaja e xhaxhait tim, morëm veturën dhe më pas po udhëtonim për në Gjermani”.

Familja e Lovren u vendos në Gjermani, por pas shtatë vjetësh autoritetet e atjeshme u thanë atyre të largoheshin andaj ata duhej të fillonin përsëri jetën në Kroaci.

Kapitull i ri

Federata Kroate e Futbollit aplikoi dhe u pranua në FIFA, në vitin 1992, në organin drejtues të futbollit botëror dhe në UEFA në vitin 1993.

“Ne e kemi futbollin në gjak. Çdo fëmijë mashkull në Kroaci dëshiron të jetë futbollist”- tha Fabijanac. “Së pari ata mësojnë se si të ecin, pastaj marrin një top ose diçka për të luajtur futboll”.

“Për një vend të vogël si ne, është shumë e rëndësishme të kesh këtë kombëtare fantastike sepse mbesa ime është tri vjeçare dhe nuk luan me kukulla, ajo luan me topin dhe bërtet gjithnjë: ‘Modriç, Modriç, Modriç’. Kjo është diçka e mahnitshme”- shton tutje Fabijanac.

Nuk u desh shumë kohë që Kroacia të lërë gjurmë në skenën ndërkombëtare të futbollit.

Së pari, Kroacia arriti në çerekfinalen e Euro 1996 – duke mposhtur Danimarkën përplot me yje.

Dy vjet më vonë, në paraqitjen e saj të parë në Kupën e Botës, Kroacia ia arriti të kalojë në gjysmëfinale të edicionit 1998 në Francë, duke përfunduar përfundimisht e treta.

Falë gjeneratës së saj të parë të artë të lojtarëve – të udhëhequr nga Davor Šuker dhe me Robert Prosinečkin dhe Zvonimir Boban – Kroacia u kualifikua me dy fitore nga grupi i saj, më pas i mposhti Rumaninë dhe Gjermaninë në fazat eliminatore, përpara se të humbiste në fund nga Franca në gjysmëfinale.

Šuker përfundoi si golashënuesi më i mirë i botërorit të vitit 1998 dhe me fanellën e tij dalluese kuq e zi, si dhe prirjen për të tronditur peshat e rënda tradicionale të futbollit, Kroacia u bë një favorit i menjëhershëm për neutralët.

Štimac thotë se ish-shokët e tij të skuadrës dhe skuadra kishin përgjegjësinë për t’i hedhur themelet për trashëgiminë moderne të futbollit të Kroacisë.

“Gjenerata jonë e kishim rrugën më të vështirë sepse ishim përgjegjës për të krijuar një kult të kulturës kroate në futboll dhe për ta trasuar rrugën për gjeneratat që do të vinin”- thotë tutje Štimac për CNN.

“Dhe si një vend i sapo njohur, ishte padyshim shumë e vështirë kur je një vend kaq i vogël në botën e futbollit dhe askush nuk e vlerëson fare të të konsiderojë si një pjesë apo subjekt të rëndësishëm.

“Dhe nga ky këndvështrim, ne patëm situatën më të vështirë dhe dolëm mirë dhe kjo padyshim që i ndihmoi gjeneratat që pasuan”.

Ardhja e Zlatko Dalićit si trajner i Kroacisë në vitin 2017 gjithashtu ka rezultuar esenciale.

Pasi u emërua si trajner pas kualifikimit të ekipit kroat në Kupën e Botës 2018, Dalić erdhi me presion mbi supet e tij.

Me shumë nga lojtarët yje të kombëtares në kulmin e tyre – në veçanti, trioja e mesfushorëve Luka Modriç, Ivan Rakitić dhe Marcelo Brozović – Kroacia pritej të performonte mirë.

Kroacia ia doli më mirë sesa thjesht të performonte mirë

Falë harmonisë që Dalić ishte në gjendje ta krijonte në kombëtare, Kroacia i tejkaloi pritshmëritë e të gjithëve duke arritur në finale – duke shfaqur guxim dhe elasticitet të jashtëzakonshëm për të fituar dy herë në penallti e ndjekur nga një fitore në kohën shtesë ndaj Anglisë në gjysmëfinale – përpara se të mposhtej nga Franca në finale.

Pas kthimit në Kroaci dhe pritjes heroike nga më shumë se 500,000 tifozë kroatë kombëtarja kroate u vlerësua për tejkalimin e gjeneratës së ashtuquajtur “të bronztë” të vitit 1998.

“Në të kaluarën kemi pasur edhe ekipe shumë të mira. Në vitin 1998, ne kishim lojtarë shumë më të mirë ndoshta në atë kohë si Boban, Šuker, Prosinečki, (Robert) Jarni, por ndoshta ata nuk e kishin ndarë kiminë mes tyre për të bërë atë që ka bërë kjo kombëtare në vitet e fundit”- tha Fabijanac.

“Ne kemi vetëm një yll, ai është Luka Modrić. Lojtarët e tjerë nuk janë yje, të tillë si Kylian Mbappé apo Cristiano Ronaldo, apo Neymar. Por pjesa tjetër e kombëtares është një familje dhe bën gjënë më të rëndësishme për ne.

“Kur Daliç erdhi si trajner kryesor kur zgjodhi ekipin… ai kërkoi lojtarë me karakter”.

Me Modriçin në maksimumin e tij magjik dhe portierin Dominik Livaković në formë të jashtëzakonshme dhe me kombëtaren në gjendje që në dukje të shënon gol atëherë kur është mëse e nevojshme, kombëtarja kroate ka vazhduar të befasojë, ashtu siç bëri katër vjet më parë.

“Kur vjen puna tek përfaqësimi kombëtar, të gjitha egot duhet të zhduken”- thotë Stimac.

“Në dhomën e zhveshjes së Kombëtares së Kroacisë nuk ka vend për ego të mëdha dhe këtë e dinë të gjithë. Askush nuk është më i madh se kombëtarja, askush nuk është më i madh se menaxheri dhe kjo është ajo që na çon përpara”.

Në vitin 1998, Štimac doli nga pankina për t’u përballur me Argjentinën dhe me lojtarë si Gabriel Batistuta dhe Juan Sebastián Verón.

Të martën, Kroacia do të takohet me Lionel Messin dhe gjeneratën e ardhshme të yjeve argjentinas, duke e ditur kroatët i ndajnë vetëm dy fitore dhe një epokë e re lavdie./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala