Nesër çerekfinalet e Kupës së Kosovës: Kush janë favoritët?

Stadiumeve të Kosovës do t’u kthehet futbolli me ndeshjet e çerekfinaleve në Kupën e Kosovës.

Ndeshjet çerekfinale janë, Drenica – Gjilani, Prishtina – Vushtrria, Dukagjini – Ballkani dhe Liria – Feronikeli.

Dueli më interesant i kësaj faze pritet të jetë ai mes Drenicës dhe Gjilanit, që luhet të shtunën prej orës 12:30, në Skenderaj.

Ndeshjet e çerekfinales luhen vetëm me një takim edhe me eliminim direkt.

Në një bisedë për KALLXO.com, analisti sportiv Genc Sermaxhaj, tregon se sa të rëndësishme janë ndeshjet e Kupës së Kosovës dhe cilat janë skuadrat favorite për të kaluar në gjysmëfinale.

Sermaxhaj thotë se Kupa e Kosovës për disa ekipe është mundësi e artë që t’i prekin garat europiane.

“Tashmë në Kosovë rëndësi të veçantë është edhe gara e Kupës së Kosovës, pasi përmes saj dilet në Europë. Më parë nuk ka qenë kjo mundësi e artë për klubet kosovare”, thotë Sermaxhaj për KALLXO.COM.

Për ish-futbollistin e disa skuadrave kosovare, ndeshja më interesante e këtij rundi pritet të jetë ajo ndërmjet Drenicës dhe Gjilanit, por për Sermaxhajn, më favorite është skuadra e Gjilanit, ani pse luan si mysafir.

“Ndeshje interesante do të jetë ajo mes Drenicës e Gjilanit, sepse të dy ekipet kanë deklaruar se kërkojnë daljen në garat europiane. Do ta shohim një ‘luftë’ mes këtyre dy ekipeve, por një nuancë më shumë e favorizoj Gjilanin, sepse ka ekip më cilësor”, shprehet Sermaxhaj.

 

31 vjeçari nga Gjilani, shprehet i sigurt se Prishtina dhe Ballkani do ta kenë të lehtë rrugën për gjysmëfinale ndaj Vushtrrisë dhe Dukagjinit.

“Prishtina veç e ka të sigurt kalimin e kësaj faze, pasi Vushtrria janë me ekipin e të rinjve, Juniorëve dhe po ashtu nuk kanë ndonjë synim, sepse as nuk e kanë bërë regjistrimin e tyre në UEFA, për garat europiane. Po ashtu sikur Vushtrria, edhe Dukagjini është në të njëjtën situatë me dokumente, pasi as këta nuk kanë aplikuar në UEFA, për garat europiane. Cilësia është në anën e Ballkanit, që më gjasë do ta kalojnë këtë rund pa ndonjë problem”, potencon i bindur trajneri i Dritës U-19.

Ai po ashtu e cilëson si favorit edhe kampionin aktual të Kupës së Kosovës, Feronikelin ndaj Lirisë, ekip i cili bën pjesë në Ligën e Parë.

“Feronikeli gjithashtu do të jetë në përparësi ndaj Lirisë, sepse është ekip shumë më cilësorë. Në raundin tjetër do të kemi përballje interesante, të ekipeve të Superligës dhe ndeshjet mes tyre do të jenë me më shumë cilësi”, shton Sermaxhaj.