Napoli dëshiron shërbimet e Rashicës

Pas 7 sezonesh me fanellën e Napolit Jose Callejon pritet të largohet në fund të sezonit, pasi i përfundon kontrata dhe nuk ka arritur të gjejë akordin me drejtuesit e klubit për të rinovuar bashkëpunimin.

Sulmuesi spanjoll pritet të rikthehet në atdheun e tij, ku ndiqe nga klube të shumta si Sevilla, Valencia, Betis e Getafe, ndërsa në shtëpinë e Napolit kanë filluar të mendojnë për pasuesin e mundshëm të tij.

Kështu në listën e Drejtorit Sportiv Giuntoli ka disa emra, ku kryeson ai i sulmuesit të talentuar të Sassuolos, Jeremy Boga, i cili po dhuron performanca spektakolare këtë sezon dhe ka një vlerë kartoni prej rreth 20 milionë eurosh.

Megjithatë eksperienca e paktë e Boga dhe fakti që ai preferon të luajë kryesisht nga krahu i majtë i sulmit, aty ku te Napoli operon tashmë kapiteni Lorenzo Insigne, kanë bërë që Gattuso të mos i japë shumë prioritet.

Emri tjetër që diskutohet në tavolinën e njerëzve të transfereve të Napolit, është ai i sulmuesit të Kosovës, Milot Rashica, i cili po bën paraqitje mjaft të mira te Werder Bremen dhe ka një vlerë kartoni prej rreth 25-30 milionë eurosh.

Megjithatë së fundi Giuntoli ka bërë sondazhe edhe për dy futbollistë brazilianë, anësorin e Gremios, Everton dhe ish sulmuesin e Lazios, Felipe Anderson, me këtë të fundit që nuk po përshtatet në kampionatin anglez dhe pritet të lërë West Hamin në fund të sezonit.