Munishi beson se Ballkani mund të shpallet kampion në Superligë - VIDEO

Superliga e Kosovës pas 12 xhirove lider të saj e ka skuadrën nga Suhareka, DC Ballkanin.

Ballkani nga 12 ndeshje ka arritur t’i shënoj tetë fitore, dy barazime dhe dy humbje, duke u pozicionuar në vendin e parë me 26 pikë, dy më pak se vendi i  dytë edhe i tretë, që gjenden Drita e Gjilani.

Skuadra suharekase në këtë sezon është duke u drejtuar nga trajneri Ismet Munishi, i cili duket se e ka gjetur çelësin e suksesit që Ballkanin, ta mbaj të motivuar drejt triumfit në Superligë, përballë skuadrave të forta si Feronikeli, Prishtina, Drita, Gjilani e Llapi.

E pikërisht, Ballkani do të përballet të shtunën me 2 nëntor ndaj Feronikelit, në Drenas, në kuadër të xhiros së 13-të.

Ismet Munishi, ka thënë për KALLXO.com, se Feronikeli është skuadër e fortë, mirëpo i ka marrë masat për këtë ndeshje. Ai poashtu ka shtuar se Ballkani, me plotë meritë është në vendin e parë.

“Feronikeli është një kundërshtar i fortë, është kampioni në fuqi, pavarësisht problemeve që është duke i tejkalu. I kemi marrë masat për këtë ndeshje, e njohim mirë Ferronikelin. Me plotë meritë jemi në vendin e parë edhe jemi duke e shijuar këtë moment. Do të punojmë në vazhdimësi dhe do të punojmë fuqishëm që fundin e kampionatit ta përfundojmë sa ma lartë”, ka thënë Munishi.

Munishi i pyetur se a ka kapacitet Ballkani, që fund të sezonit të shpallet kampion, ai ka thënë se konkurrenca është e fortë, por ata do të luftojnë për secilën ndeshje.

“Do të shohim sepse konkurrenca është shumë e fortë, ne do të luftojmë për çdo ndeshje, ne nuk jemi të ngarkuar shumë për titullin kampion, ne ndeshjet i marrim një nga një. Qe kemi bërë skuadër të fortë është e vërtetë, sepse i kemi testuar të gjitha skuadrat e Kosovës edhe mund të them se jemi njëra nga 2-3 skuadrat më të mira në kampionat. Normalisht që pak na mungon përvoja, mirëpo ndoshta me punë do ta kompensojmë këtë mungesë të përvojës”, ka potencuar ai.

Në skuadrën e Ballkanit, janë duke treguar paraqitje të mirë treshja, Blendi Baftiu, Arbër Hoxha e Jetmir Topalli, që të tre në moshë të re.

Munishi tregon se për këta lojtarë kanë oferta të shumta, por këta do të qëndrojnë deri në fund te sezonit te Ballkani. Ai gjithashtu këtë sukses ia dedikuar të gjithë skuadrës.

“Këta janë lojtarë shumë të talentuar, Blendi, Arbëri edhe Jetmiri. Janë në formë shumë të mirë, domethënë edhe ata janë pjesë e suksesit tonë, që e kemi arrit këtë sukses. Janë lojtarë super të talentuar, kemi shumë kërkesa nga klubet tjera, kanë filluar ofertat për këta djem. Këta djem do ta përfundojnë kampionatin deri në fund, pastaj do të shohim t’i shqyrtojmë ofertat për ta, mirëpo, kontribut të madh kanë dhënë të gjithë futbollistët, duke ia nisur prej kapitenit Visar Berisha, pastaj Besnik Krasniqi, që ndoshta më pak e kena përmend në media, është Kushtrim Gashi një lojtar i jashtëzakonshëm, është Edvin Kuç, Arbër Potoku, pastaj Artur Magani, e kemi në mbrojtje Edmond Turkun, Egzon Sinanin, të gjithë lojtarët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për këto suksese që i kemi.

“Këta janë lojtarë, do të jenë vazhdimësi e atyre lojtarëve që momentalisht janë duke luajtur për Kosovën, e që janë produkt i futbollit të Kosovës. Këta lojtarë janë pasardhës të Vedat Muriqit, Milot Rashicës, të Amir Rrahmanit, sepse do ta vazhdojnë karrierën jashtë se kanë potencial të jashtëzakonshëm edhe do të arrijnë në ato nivele që me të vërtet do të shkojnë liga shumë të forta dhe do t’i ndihmojnë Kosovës në të ardhmen. Kosova e ka një të ardhme shumë të ndritur me këta futbollist”, shprehet i bindur Munishi.

Kapiteni i Ballkanit, Visar Berisha, thotë se ndaj Feronikelit, presin rezultat pozitiv dhe janë të mobilizuar.

“Ndeshja e së shtunës është ndeshje derbi, e dimë se Feronikeli është kampione e Kosovës, por neve nuk na interesojnë problemet që i ka ekipi, jemi në formë të mirë, do t’i marrim lojërat një nga një, edhe ndaj Feronikelit do të shkojmë të mobilizuar maksimalisht, presim të luajmë një futboll të mirë edhe presim një rezultat pozitiv”, thotë kapiteni Berisha.

Lideri i suharekasve, tregon se sezoni 2019/2020, për Ballkanin është më ndryshe, pasi kanë sjellë një frymë të re, prej trajnerit e deri tek lojtarët.

“Duke i parë rrethanat e Superligës, Ballkani është duke treguar ndeshje mjaft të mira. Vitin e kaluar ka qenë në vështirësi, është normale kur inkuadrohesh në Superligë, por masat janë marrë, kemi bërë një skuadër të mirë, kemi marrë një trajner të mirë Ismet Munishin, ai ka bërë një punë mjaft të mirë, na kanë ardhë disa lojtarë cilësorë të cilët kanë treguar rezultate në ekipet e veta edhe po shihet që kemi një rezultat. Jemi të mobilizuar prej presidentit Arsim Kabashi, i cili na mbështet gjithmonë komplet skuadrën. Ekipi është gjithmonë e motivuar, si para ndeshjes si pas ndeshjes është një frymë e re këtu më e mirë se në vitin e kaluar”, tregon Visar Berisha.

Kurse 21 vjeçari Arbër Hoxha, i cili po kalon një sezon të mirë te Ballkani, pas transferimit te Prishtina, e pranon se skuadra po kalon në formë të mirë dhe ndaj Feronikelit presin rezultat pozitiv.

“Është shumë e vërtetë që po kalojmë në një formë shumë të mirë, kjo është arsye e kryesisë, trajnerit, bashkëlojtarëve që po kalojmë në një formë mjaft të mirë dhe kemi arrit këto pikë t’i grumbullojmë me plotë sukses, shpresoj që edhe vazhdimi të jetë i njëjtë sikur deri më tani që kemi luajtur. Ndeshja ndaj Feronikelit do të jetë mjaft e vështirë, duke e pasur parasysh se Feronikeli e ka një super skuadër, edhe në vitin e kaluar ishte kampion. Atje ne shkojmë për pikë pozitive edhe pse jo për tri pikë. Unë besoj shumë në ekip dhe në fund t’ia dalim t’i rrëmbejmë tri pikë”, tregon Hoxha.

Hoxha i cili deri më tani në këtë sezon i ka shënuar katër gola dhe katër asistime, thotë se kanë cilësi në skuadër e cila në fund mund t’ia sjellë titullin e kampionit skuadrës.

“Është herët me mendu këtë, sepse ka edhe shumë lojë, ne do i marrim ndeshjet një nga një dhe pse jo të dalim kampion. Kemi cilësi në skuadër, kemi lojtarë të rijnë, kemi lojtarë në moshë të cilët po tregojnë paraqitje mjaft të mirë dhe pse jo në fund të bëhemi kampion, tha Hoxha.