Mourinho: Më mungon shumë futboll dhe mezi pres të rikthehemi

Disa klube në Angli janë rikthyer në stërvitje në grupe të ndara si Arsenali e Brightoni.

Shkaku i pandemisë së COVID-19, ende nuk ka ndonjë datë të caktuar për rikthimin e Premierligës.

Krizën e krijuar nga coronavirusi trajneri i Tottenhamit, Jose Mourniho është duke e shfrytëzuar duke punuar si vullnetar në klubin londinez duke shpërndarë perime të freskëta nga ferma e “Spurs”, për njerëzit në nevojë.

Trajneri portugez ka folur edhe për futbollin, duke thënë se po i mungon shumë dhe mezi pret t’i rikthehet.

“Më mungon shumë futbolli dhe mezi pres të rikthehemi. Do të doja t’i luanim këto 9 javë që na kanë mbetur dhe të mbyllnim normalisht sezonin. Të luash pa tifozë në shkallët e stadiumit është e vështirë, por mua më pëlqen të mendoj se futbolli nuk luhet asnjëherë pa tifozë, pasi miliona njerëz nëpër botë na ndjekin nëpërmjet telekamerave”, ka deklaruar Jose Mourinho.