Foto: Federata e Basketbollit të Kosovës

Mos respektimi i masave, ndeshjet në basketboll do të zhvillohen pa praninë e tifozerive të organizuara

Federata e Basketbollit të Kosovës ka marrë vendim që ndeshjet e mbetura në kuadër të Kupës së Kosovës në basketboll të zhvillohen pa praninë e tifozerive të organizuara.

Kjo për shkak të mos respektimit të masave kundër COVID-19.

“Pas vlerësimit të situatës së krijuar gjatë ndeshjeve të datës 09.02.2022, dhe konsultimit me autoritetet kompetente, Federata  e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka marrë vendim që ndeshjet gjysmëfinale dhe ato finale të Final 8 Kupës së Kosovës që është duke u organizuar në Pejë të mos lejohet pjesëmarrja e tifozerive të organizuara”, thuhet në vendimin e FBK-së.

“FBK ka qenë e detyruar ta marrë këtë vendim pasi në ndeshjet e para çerekfinale tifozët e organizuar nuk i kanë respektuar masat në fuqi të Qeverisë së Republikës së Kosovës për anti-Covid19, e që janë mbajtja e maskës dhe distanca fizike edhe pas tërheqjes së vërejtjes nga personat përgjegjës të angazhuar për siguri dhe Policisë së Kosovës” thuhet më tutje në vendim.

Por ky vendim nuk do të vlejë për shikuesit e vaksinuar që nuk shkojnë në mënyrë të organizuar dhe që zotohen të respektojnë masat në fuqi.

“Duke qenë se grupet e tifozëve të pranishme në palestrën ‘Karagaçi’ nuk iu bindën urdhrave për bartje të maskës dhe sigurim të distancës fizike, duke pamundësuar kësisoj respektimin e masave nga organizatori dhe Federata, në palestër prej ndeshjeve gjysmëfinale e deri te ato finalet në të dyja konkurrencat do të lejohen vetëm shikuesit e vaksinuar që nuk vijnë në mënyrë të organizuar dhe që zotohen të respektojnë masat në fuqi për anti-Covid-19” thonë nga FBK-ja.