Moldavia kërkon fitore ndaj Kosovës

Moldavia do të takohet me Kosovën të mërkurën në “Fadil Vokrri”, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Një ditë para ndeshjes në konferencë për media, trajneri i Moldavisë, Engin Firat, i ka thurur elozhe Kosovës duke thënë se nuk do të befasohej nëse “Dardanët”, do të luanin në Ligën B.

“Kosova dhe ne kemi vuajtur nga COVID-19, por Kosova ka një të ardhme të ndritur dhe unë besoj se nuk do të ishte befasi nëse do të luante në Ligën B me potencialin që ka”, ka thënë Firat.

Firat ka thënë se do ta kenë të vështirë ta ndalin Vedat Muriqin dhe do ta bëjnë të pamundurën që nesër të marrin rezultat pozitiv.

“Kosova është një ekip i fort dhe do të jetë e vështirë. Do të bëjmë gjithçka që ta ndalim Muriqin. Kemi pasur probleme dhe lëndime në fazën e mbrojtjes. Do ta kemi të vështirë ta ndalim Vedatin, por ne do të bëjmë të pamundurën për të arritur rezultat pozitiv”, ka cekur Firat.

Kurse, portieri i Moldavisë, Stanislav Namashako, ka thënë se kanë ardhur që ta mposhtin Kosovën.

“Ekipi është i përgatitur për ta bërë më të mirën ndaj Kosovës. Kemi të bëjmë me një ndeshje të vështirë por Moldavia ka ardhur për ta fituar ndeshjen”, ka thënë Namashko.