MKRS kërkon zgjedhje në të gjitha federatat sportive

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, përmes një qarkore po i udhëzon federatat sportive që më së largu deri më 28 mars, t’i mbajnë Kuvendet e Rregullta Zgjedhore për ciklin olimpik 2021-2024

MKRS e ka lëshuar një qarkore me udhëzime për  përmbushje të obligimeve ligjore të cilat i rregullojnë çështjet e mbajtjes së Kuvendeve të Punës dhe të Kuvendeve Zgjedhore në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), në të gjitha federatat sportive të vendit dhe në të gjitha klubet.

MKRS-ja, thotë se këtij udhëzimi duhet t’i përmbahen të gjitha organizatat sportive dhe klubet, pa asnjë përjashtim.

Ministria e Sportit, thotë se mandatet nuk mund të merren përmes mocioneve të votëbesimit, sipas saj në kuvende nuk mund të marrin pjesë as delegatë që edhe votojnë për organe të reja të organizatave sportive edhe që njëkohësisht paguhen duke punuar po në ato federata.

Sipas kësaj qarkoreje, kuvendet e punës për vitin 2019, është dashur të mbahen gjatë muajve janar, shkurt dhe mars të vitit 2020. Disa federata deri më tani i kanë kryer kuvendet, por një e treta e federatave sportive, bashkë me KOK-un nuk i kanë mbajtur kuvendet shkaku i pandemisë së coronavirusit.

Kujtojmë se federatat sportive dhe KOK-u, kuvendet e rregullta zgjedhore i kanë mbajtur në vitin 2016. Ato është dashur që t’iu nënshtrohen zgjedhjeve të rregullta në vitin 2020, por janë shtyrë.

“Pas përfundimit të kuvendeve (të rregullta e zgjedhore të klubeve, nën monitorimin e federatave sportive përkatëse dhe komunave përkatëse), gjatë muajit shkurt e më së largu deri më 28 shkurt mbahen kuvendet e rregullta dhe ato zgjedhore të federatave nën monitorimin e MKRS dhe KOK-ut”, shkruan tutje në qarkoren e MKRS-së.

Ligji i Sporti është i ashpër me shkelësit, në pikën 30.4 të nëntit 30, thuhet se nëse vendimet e federatave te sportit janë në kundërshtim të hapur me aktet normative të tyre dhe më këtë ligj, atëherë do të dalin para organeve kompetente të drejtësisë.