MKRS-ja dhe organizatat e sportit me kërkesë të përbashkët për të lejuar fillimin e aktiviteteve sportive sportive në Kosovë

Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, është takuar me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasanin dhe krerët e federatave sportive për tu koordinuar për hapat pas lehtësimit të masave izoluese.

Dumoshi ka kërkuar nga organizatat sportive që konkretisht të raportojnë në Departamentit të Sportit se në cilën fazë gjenden dhe cilat janë nevojat e emergjente që ato kanë në mënyrë që institucionet përgjegjëse për menaxhimin e pandemisë në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet tjera ndërlidhëse të qartësojnë se si do të realizohet vazhdimi i përgatitjeve të sportistëve dhe zhvillimi i garave sportive në federatat përkatëse.

“Ne bashkë me KOK-un dhe federatat e sportit në Republikën e Kosovës, do t’i drejtohemi me një letër të përbashkët institucioneve shëndetësore në vendin tonë për të na qartësuar dhe lejuar fillimin e përgatitjeve, ushtrimeve të sportistëve dhe vazhdimin e garave dhe aktiviteteve tjera sportive. Kosova duhet të shikojë edhe vendet e rajonit se çfarë hapash kanë ndërmarrë në këtë drejtim se si do t’i fillojnë angazhimet dhe aktivitetet sportive dhe ne bashkërisht do të dalim me një kërkesë të përbashkët drejtuar institucioneve shëndetësore për lejimin”, ka thënë Dumoshi.

Kujtojmë se të gjitha aktivitet sportive në Kosovë janë pezulluar prej 13 marsit, nga qeveria si masë parandaluese për përhapjen e coronavirusit.