Ministra, futbollistë e tifozë bëjnë homazhe te varri i Fadil Vokrrit

Gjatë ditës së sotme ministrja e Kulturës Vlora Dumoshi, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtuesit Federatës së Futbollit të Kosovës, ish-futbollistë e miq si dhe me drejtuesit e grupit të tifozëve “Dardanët”, për nder të dy vjetorit të vdekjës së ish-presidentit Fadil Vokrri kanë bërë homazhe te varri i tij.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka thënë se Vokrri do të jetë frymëzim për gjeneratat e reja.

“Vokrri thjesht është frymëzim për të gjithë futbollistët. Është njeriu që na ka bashkuar dhe besoj që emri i tij sërish do të na bashkojë, sepse ai ka qenë unifikues dhe gjithmonë do të jetë i tillë. Ne, do të vazhdojmë me punën tonë sepse futbolli tashmë është bërë krenaria e këtij populli”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, ministrja Vlora Dumoshi e vlerësoi kontributin e Vokrrit në të gjitha etapat, e veçmas në anëtarësimin e Kosovës në UEFA e FIFA

“Vokrri ka qenë një njeri shumë i madh, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për sportin në Kosovë në faza të ndryshme të jetës së tij, e veçmas në kohën e fundit kur arriti ta anëtarësojë FFK-në në UEFA e FIFA. Kontributi i tij është i jashtëzakonshëm dhe ne si MKRS gjithmonë do ta mbështesim amanetin e tij që sportin ta dërgojmë në nivele sa më të larta”, thuhet të jetë shprehur ministrja Dumoshi.

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu ka thënë se ikja e hershme e presidentit Vokrri ka qenë një goditje e madhe për të dhe të gjithë ata që janë pjesë e futbollit.

“Vokrri ka qenë dhe mbetet Legjendë e futbollit, por jo vetëm aq. Të jesh futbollist i mirë nuk do të thotë të jesh edhe lider i mirë, por Fadili ka qenë njeri me zemër të bardhë dhe me mendje të shëndoshë. Ai ka qenë një diplomat, një njeri në vendin e duhur.”thuhet të ketë thënë Salihu.

Ish-presidenti Fadil Vokrri vdiq më 9 qershor të vitit 2018 pas një infarkti në zemër, për të kaluar në përjetësi si Legjendë.