Meta - tifozëve "Kuq e Zi": Le të mësojmë nga tifozët e Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në ndeshjen e fundit të Kosovës kundër Çekisë, ishte i pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri”, në përkrahje të kombëtares së Kosovës.

Në të njëjtën ditë, Shqipëria ishte mysafire e kampionit të botës, Francës, ku edhe u mposht me rezultat 4 me 1.

Pas kësaj humbje të Shqipërisë, Meta u ka bërë thirrje tifozëve “Kuq e Zi” që të mësojnë nga tifozët e Kosovës dhe ta mbështesin kombëtaren e Shqipërisë dhe ta mbështesin atë edhe kur është në disavantazh.

“E di që shumë tifozë janë mërzitur nga humbja me Francën, kampionen e botës, por mos harroni si humbi Brazili me Gjermaninë 1-7. Le të mësojmë dhe nga tifozët e Kosovës, që pikërisht kur ekipi është në disavantazh, ndizen më shumë në përkrahjen e ekipit”, ka shkruar Meta në Facebook.

Sot, Kosova është mysafire e Anglisë ndërsa Shqipëria e pret Islandën në stadiumin “Elbasan Arena”.

Presidenti Meta ka thënë se të gjithë duhet të jenë më pranë se asnjëherë kombëtares së Shqipërisë për shkak se që pas Europianit të Francës është në tranzicion drejt rigjetjes së vetvetes

“Shpesh tifozët kërkojnë vetëm fitore, por topi është i rrumbullakët”, ka theksuar Meta.