Mesfushori shqiptar, kalon në kampionatin zviceran tek St Gallen

Mesfushori me prejardhje shqiptare që luan për Kombëtaren e Zvicrës, Bestien Toma është transferuar në kampionatin zviceran të futbollit pas një karrierë të zhvilluar në Belgjikë te ekipi Genk.

Ai ka kaluar në ekipin zviceran në formë të huazimit.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi zviceran.

“Pak para fillimit të gjysmës së dytë të sezonit, FC St.Gallen 1879 bëri një tjetër transferim. Bastien Toma është i huazuar nga Genk deri në fund të sezonit”, thuhet në komunikatën e klubit.

Ndërsa zyrtarët e klubit po ashtu janë shprehur se Toma është një lojtar me kualitet të lartë, dhe inteligjencë të madhe.

“Bastien Toma korrespondon saktësisht me profilin tonë të kërkesave. Ai është një lojtar i ri, kreativ, i cili tashmë ka shumë përvojë dhe inteligjencë të madhe loje” thonë nga klubi zviceran.

Në verën e vitit 2020 ai u transferua në Genk në Jupiler Pro League, liga më e lartë belge.

Përveç kësaj, Toma ka luajtur për skuadra të ndryshme të të rinjve të Zvicrës, së fundmi për kombëtaren U21.

Në FCSG ai do të veshë fanellën me numrin 72. Klubet e përfshira kanë rënë dakord të mos bëjnë të ditur detajet e transferimit.