Më shumë se 60,000 tifozë do të lejohen në Wembley për gjysmëfinalen dhe finalen e Euro 2020

Më shumë se 60,000 tifozë do të lejohen në Wembley për gjysmëfinalet dhe finalet e Euro 2020 pasi paraprakisht u arrit një marrëveshje midis qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe UEFA-s, shkruan sot The Guardian.

Po bëhen 16 muaj qyshkur grupe të mëdha tifozësh nga Britania e Madhe janë duke pritur për një eveniment sportiv sikurse Euro 2020, megjithëse detajet se kush do të jenë në gjendje të marrë pjesë në ndeshje dhe si do të bëhet kjo, mbeten të pazgjidhura.

Wembley do të lejohet të hapë deri në 75% të kapacitetit të saj sa ka prej 90,000 vendesh, për tre ndeshjet, të planifikuara të luhen përkatësisht me 6, 7 dhe 11 korrik. Kjo do të thotë se do të ketë të paktën 35,000 bileta shtesë në dispozicion. Qeveria thotë se pret që prioritet për hyrje në Wembley do t’u jepet banorëve të Mbretërisë së Bashkuar të cilëve u ishin anuluar biletat kur prezenca e tifozerisë u ndërpre për herë të parë për shkak të pandemisë.

Wembley dha lejen për rritje fillestare në kapacitetin e tifozerisë vetëm javën e kaluar duke e shtuar numrin nga 22,500 në 45,000 tifozë. Pas një jave në të cilën qarkulluan zërat se UEFA është e gatshme të zhvendosë finalen në Budapest, ku nuk ka kufizime në kapacitetin e prezencës së tifozerisë në tribuna, dhe pasi kryetari i bashkisë së Romës ofroi të organizojë ndeshjen në Olimpico, kapaciteti është rritur përsëri.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të martën se ishte “e shqetësuar për lehtësimin e kufizimeve në disa nga vendet nikoqire”. Robb Butler, drejtor ekzekutiv në Zyrën Rajonale të OBSH-së për Evropën, i tha AFP se në disa qytete nikoqire” rastet me COVID-19 janë tashmë në rritje në zonën ku do të mbahen ndeshjet”.

Ndërkohë, zyrtarë në Departamentin për Digjitalizim, Kulturë, Media dhe Sport (DCMS) thonë se diskutimet janë duke vazhduar për kërkesat e diskutueshme nga UEFA që VIP-të, sponsorët dhe partnerët e transmetimit të lejohen të udhëtojnë në finale pa pasur nevojën e karantinimit.

 

Përkthimi: Nuhi Shala