Mbrojtësi i Feronikelit nga karantina: Po më mungojnë shumë futbolli dhe shokët

Të gjithë aktivitet sportive në Kosovë janë pezulluar prej 13 marsit, si masë parandaluese ndaj coronavirusit.

Futbolli është njëri prej sporteve i cili kërkon përgatitje të madhe në mënyrë që të jenë të gatshëm për 90 minuta lojë.

Futbollistët e klubeve kosovare janë duke bërë stërvitje në karantinë në mënyrë që mos ta humbin formën e tyre të cilën e kishin arritur deri në xhiron e 22-të.

KALLXO.com, ka realizuar një intervistë me mbrojtësin e krahut të djathtë Përparim Islamin, i cili i mbron ngjyrat e Feronikelit.

“Jemi blloku dhe tashti jemi në karantinë, po më mungon futbolli, shokët dhe gjithçka, por sido që të jetë, duhet me i respektu rregullat dhe të qëndrojmë në shtëpi. Besoj se do të kaloj ky virus dhe t’i kthehemi normalitetit”, tregon fillimisht Islami për KALLXO.com.

26 vjeçari nga Podujeva, thotë se në futboll është gëzimi dhe hidhërimi, për këtë arsye po i mungon shumë.

“Më së shumti po më mungon futbolli, lojërat, ushtrimet, sepse në futboll është gëzimi e hidhërimi, për këtë arsye është interesant futbolli, për atë po më mungon shumë”, tregon për futbollin Islami.

Kampioni i Kosovës me Feronikelin, tregon se çdo ditë bën strëvitje nga dy orë.

“Ditën në karantinë e nisi pothuajse çdo ditë dali vrapoj nga ora 08:00, pastaj stërviti deri në orën 10:00. Për çdo ditë bëj ushtrime të dalluara, me u stërvit veç vet nuk është keq, por pak monotoni, por vetëm duhet me pas vullnet edhe dëshirë për me ushtru vet. Stërvitjet me ekip është një gjë ndryshe, sepse je me shokët e skuadrës dhe me trajner, ka disiplinë dhe është pak më ndryshe”, zbulon Përparim Islami për KALLXO.com.

Përparim Islami është njëri prej lojtarëve më të trofeshëm në Kosovë, duke i fituar dy tituj të Superligës së Kosovës, dy Kupa të Kosovës dhe dy Superkupa të Kosovës.