Mashtrim, spiunim dhe …vrasje? Brenda ekipit të futbollit të Stasit
Nga frikësimi i gjyqtarëve deri te vëzhgimi sekret i lojtarëve, BFC Dynamo ishte një skuadër e pandalshme futbolli… e udhëhequr nga policia sekrete. Tani ky ekip ka vendosur të hapet për publikun përmes një dokumentari televiziv.
Në një epokë në të cilën mega-klubet në pronësi të sheikëve apo oligarkëve po e dominojnë futbollin botëror, Oberliga e Gjermanisë Lindore – e cila funksiononte pas perdes së hekurt – sigurisht tingëllon tërheqëse. Ishte një ligë pa pronarë miliarderë, pa agjentë apo pa tarifa transferimi, në të cilën futbollistët dhe trajnerët ishin të punësuar nga shteti dhe klubet kishin emra të ndershëm të tillë si Lokomotive Leipzig, Turbine Weimar apo Motor Suhl.
Mirëpo, Stasi FC, një dokumentar i ri i prodhim mediumit britanik Sky, shërben si një kujtesë se socializmi i vërtetë ishte po aq i aftë për të ndërtuar monopole dërrmuese sa turbo-kapitalizmi. Super-klubi i Berlinit Lindor BFC Dynamo mund ta ketë fituar kampionatin e Republikës Demokratike Gjermane për një rekord 10 vitesh me radhë, por e e ka bërë këtë duke qenë një monsutrum prej ngacmuesi që i bën skuadrat si Manchester City ose Paris Saint-Germain të duken mirë. Dhe me tarracat e Millwall FC si një parajsë e korrektësisë politike. Ky klub e përdori policinë sekrete për t’i spiunuar lojtarët e saj dhe u hakmor brutalisht kundër futbollistëve që kaluan në futbollin e Gjermanisë Perëndimore – potencialisht duke shkuar aq larg sa madje edhe t’i vriste ata.
Në dukje, futbolli i Gjermanisë Lindore e shpjegon barazinë dhe solidaritetin për të gjithë njerëzit. Lojtarëve u kujtohej rregullisht detyra e tyre si “ambasadorë me tuta” për lavditë e sistemit socialist dhe në BFC Dynamo, funksionarët e partisë i jepnin skuadrës seanca javore stërvitore për mënyrën e duhur të interpretimit të ngjarjeve botërore.
Mirëpo kur shefi i një prej klubeve në ligën tuaj është gjithashtu edhe shef i policisë sekrete të shtetit autoritar, atëherë futbolli socialist nuk është edhe aq i barabartë.
“Ishte një sekret i hapur që Dynamo Berlin ishte projekti i përkëdhelur i Erich Mielke, shefit të Stasi-t dhe se ai mbante një dorë mbrojtëse mbi klubin”, kujton Ralf Minge, ish-sulmues për konkurrentin më të madh të BFC, Dynamo Dresden. “Kjo do të thoshte se ata u bënë rivali numër 1 i çdo ekipi tjetër. Kur luanit kundër tyre, doje të fitoje.”
Mielke, një komunist pasionant që e ngriti aparatin më të madh të policisë sekrete në botë për frymë banori, nuk ishte vetëm tifozi më i madh i BFC, por edhe presidenti nderi i klubit. Kur ai vendosi në vitet ’60 se Berlini Lindor nuk kishte nevojë vetëm për ta përqendruar pushtetin politik, por për të grumbulluar trofe, ai nuk kishte nevojë për një buxhet të madh transferimi për ta realizuar atë. Ai thjesht e përkulte sistemin sipas vullnetit të tij.
Skuadra deri tani më e suksesshme e kryeqytetit gjermano-lindor, klubi ushtarak ASK Vorwärts Berlin, u shkul dhe u transferua në Frankfurt an der Oder, duke ia lënë Mielkes plaçkën e të rinjve të qytetit më të madh. Futbollistët premtues nga klubet më të vogla nuk u ballafaquan, por u komanduan. “Nëse do kishte një lojtar që e donte Mielke, atij do t’i thuhej: ‘pas verës do të luani për BFC dhe nëse nuk e bëni, ky është fundi i sportit konkurrues për ju’, thotë Falko Götz, i cili ka luajtur për Dynamon nga viti 1971 deri në vitin 1983. “Nuk kishte rëndësi se çfarë thuhej në kontratën tuaj”.
Nga frika e dorës së rëndë të Stasit mbi shpatullat e tyre, gjyqtarët me siguri i fryenin bilbilave në favor të Dinamos. Në një ndeshje vendimtare në vitin 1986, kapiteni kundërshtar i Lokomotive Leipzig u përjashtua për një shkelje të parëndësishme dhe arbitri e vazhdoi ndeshjen derisa atij iu dha mundësia t’i jepte një penallti klubit të Mielke në minutën e 95-të. “Për të qenë i sinqertë, ndonjëherë më vinte turp nga ajo që po ndodhte në fushë”, thotë Götz. “Askush nuk donte të fitonte në këtë mënyrë.”
Mbështetësit e tij filluan ta përvetësojnë atmosferën negative nga skuadrat e tjera: për ironi, klubi që supozohej ta shfaqte epërsinë e socializmit përfundoi si ekipi i zgjedhur për huliganët neo-nazistë të Berlinit Lindor. Tifozët i kënduan Mielke këngë lavi dhe dolën me versionin e tyre të “Askush nuk na do, nuk na intereson”: “Gjyshi ishte në SS, babai ishte në Stasi dhe unë jam me BFC”.
Jo i gjithë suksesi i klubit arrihej për shkak të frikësimit ose arbitrimit të dyshimtë. “BFC Dynamo padyshim kishte një ekip të mirë,” thotë Minge. Qendrat e të rinjve nga të cilat ajo tërhoqi shumicën e lojtarëve të saj ishin më të avancuara se ato në Perëndim. “Njohja e vogël ndërkombëtare që mori Gjermania Lindore ishte nëpërmjet sportit”- thotë Götz. “Andaj kur bëhej fjalë për stërvitjen e atletëve të rinj, ata ishin aty të gjithë.”
Futbollistët që kaluan nëpër akademitë e Gjermanisë Lindore ishin të aftë të luanin me të dyja këmbët, të vetëdijshëm taktikisht dhe atletikë. “Stërvitja jonë ishte mjaft e gjerë: një herë në javë do të ishte gjimnastikë për një orë dhe të gjithë mund të performoninn një qëndrim me duar në hekurat paralele”- thotë Minge.
Pas ribashkimit të Gjermanisë, kur u bashkuan disa lojtarë të Gjermanisë Perëndimore, ai kuptoi se “disa prej tyre nuk mund të bënin as tërheqje!”. Ishte edhe më zhgënjyese, atëherë, për Mielke-n t’i shikonte favoritët e tij teksa dështonin vazhdimisht në skenën botërore.
“Kisha shokë skuadre që kishin luajtur 50 ndeshje ndërkombëtare për DDR në kohën kur ishin 23 vjeç, por kishin pasur vetëm tetë ndeshje të Kupës Evropiane, sepse nuk e kaluam raundin e parë”- thotë Götz. “Ne fituam tituj vendas, por ndërkombëtarisht ishim një katastrofë absolute”.
Minge argumenton se qasja militariste ndaj sportit, e cila i mundësoi Gjermanisë Lindore t’i tejkalonte fqinjët e saj shumë më të mëdhenj perëndimorë në Lojërat Olimpike, u bë një pengesë në fushë. “E kishim një deficit mentaliteti,” thotë ai. “Ishim si njësi ushtrie, duke iu përmbajtur rregullave të rrepta që u përcollën nga lart. Një gjë e tillë nuk na dihmoi saktësisht të përfitojmë sa më mirë nga cilësitë tona”.
Mungesa e suksesit ndërkombëtar ishte frustruese jo vetëm për regjimin socialist, por edhe për lojtarë të tillë si Götz. “Në kohën kur mbusha 20 vjeç, kisha fituar tri herë kampionatin, por më mungonte perspektiva”- thotë ai. “Për mua kishte vetëm futboll të Gjermanisë Perëndimore, ku si lojtar ishe përgjegjës për arritjet e tua”.
Mirëpo, për lojtarët e projektit të prestigjit të Stasit për ta braktisur lindjen për perëndimin do të kishte qenë një humbje e madhe e fytyrës – diçka për të cilën policia sekrete ishte shumë e vetëdijshme. Në vitin 1979, mesfushori Lutz Eigendorf, një nga lojtarët yje të BFC dhe i preferuari personal i Mielke, kërkoi azil gjatë një turneu në Gjermaninë Perëndimore
Ministria e Sigurimit të Shtetit u kundërpërgjigj me shumë frustrim: pa dijeninë e inteligjencës perëndimore, rreth 50 informatorë të Stasit gjurmuan çdo lëvizje të Eigendorf-it pasi ai filloi të merrej me tregtinë e tij në Bundesligën e Gjermanisë Perëndimore. Stasi FC tregon historinë se si policia sekrete arrestoi tre lojtarë të Dynamo Dresdenit në një operacion thumbues në vitin 1981 për t’u dërguar një mesazh të tjerëve të mundshëm në kërkim, duke i burgosur për 11 muaj për Republikflucht, “dezertimin e republikës”.
Eigendorf vdiq në një aksident automobilistik dy vjet më vonë, dhe megjithëse përfshirja e Stasit nuk është dëshmuar asnjëherë, ajo pati një efekt rrëqethës te shumë lojtarë. “Nuk mund të them se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, sepse ka shumë vend për spekulime”- thotë Götz. “Por nuk ka dyshim se Stasi ishte i aftë për ta bërë një gjë të tillë.” Në vitin 1983, ai dhe shoku i tij i skuadrës Dirk Schlegel bënë hapin gjithsesi, duke u hedhur në një taksi gjatë një udhëtimi pazari përpara një ndeshjeje jashtë vendit në Beograd që i çoi në ambasadën e Gjermanisë Perëndimore.
BFC Dynamo vazhdoi të fitonte, duke shënuar titullin e tij të 10-të të kampionit në vitin 1988. Por kur Muri i Berlinit u shemb në vitin 1989, edhe ky klub u shemb: 22 lojtarë, dy nga të 11-at, u larguan për në perëndim po atë sezon. Pas paraqitjes së falimentimit në vitin 2001, klubi arriti t’i konsolidojë financat e tij dhe tani luan në divizionin e katërt të futbollit gjerman.
Shkalla në të cilën futbollistët kishin hyrë në një pakt faustian duke luajtur për skuadrën e vetë policisë sekrete u zbulua për shumë prej tyre vetëm më vonë. Kur arkivat e Stasit u hapën për publikun në vitin 1992, Götz kërkoi të hidhte një sy në dosjen e tij. Ai kaloi katër ditë rresht në dhomën e leximit në Berlin, duke i ndërprerë më pas marrëdhëniet me disa miq të ngushtë që e kishin spiunuar atë dhe familjen e tij. “Nuk ishin ditë të lumtura”- thotë ai.
Një model ishte i vështirë të injorohej, thotë ai. Lojtarët ose trajnerët që e spiunuan atë “ishin zakonisht ata që do të kishin luftuar të mbeten pjesë e futbollit profesionist vetëm në bazë të talentit”./The Guardian
Përgatiti: Nuhi Shala