Marmarinos: Jam shumë krenar për lojtarët, patën një paraqitje të mirë

Kombëtarja e Kosovës, në basketboll të enjten mbrëma në Prishtinë, e ka mposhtur Islandën me rezultat 80:73, ndeshje e vlefshme për paraeliminatoret për Botërorin 2023.

Me fitore ka debutuar te Kosova, trajneri grek, Christos Marmarinos.

Marmarinos pas ndeshjes ka thënë se basketbollistët e arritën për fitoren duke qenë krenar me djelmoshat e Kosovës.

“Basketbollistët e arritën fitoren, jo unë. U angazhuan dhe nuk u dorëzuan për asnjë moment. Jam shumë krenar për lojtarët që patën një paraqitje të mirë. Ky është mesazh se duam të vazhdojmë me fitore. Kishim edhe telashe, Jones dhe Bunjaku u lënduan”, ka deklaruar Marmarinos.

Ai ka thënë se do të qëndrojnë së bashku pasi ky është vetëm fillimi dhe i pret punë e madhe Dardanët.

“Ne do të qëndrojmë së bashku dhe do të luftojmë së bashku. Dua të përgëzoj edhe Islandën për paraqitjen e mirë. Ky është vetëm fillimi, pasi na pret ndeshja me Luksemburgun dhe shpresoj që deri atëherë t’i përmirësojmë gabimet që patëm”, ka shtuar përzgjedhësi Marmarinos.

Kosova të dielën luan si mysafirë ndaj Luksemburgut, kurse në grup bën pjesën edhe Sllovakia.

 

Fitore e madhe e Kosovës ndaj Islandës