Marmarinos: Do ta bëjmë çdo kosovar të krenohet me Kosovën

Kombëtarja e Kosovës A në basketboll do të grumbullohet në muajin gusht nën drejtimin e trajnerit grek Christos Marmarinos.

Përgatitjet do të mbahen në Prishtinë.

Trajneri i “Dardanëve”, Marmarinos ka thënë se ky grumbullim është i rëndësishëm të mbahet në muajin gusht për ta parë formën e basketbollistëve pas karantinës.

“Është e rëndësishme që kampi të mbahet në gusht, kështu që ne të shohim formën e lojtarëve tanë pas karantinës. Ne dëshirojmë të luajmë një rol aktiv në jetën e tyre dhe të ndihmojmë në karrierën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme. Do të kemi disa ditë stërvitje, do të sigurohemi që të gjithë t’i kujtojmë vetes strukturën e ekipit dhe duhet të funksionojmë për të ardhmen. Ne dëshirojmë që ata të ndjehen si në shtëpi kur janë me ekipin kombëtar”, është shprehur Marmarinos për faqen zyrtare të FBK-së.

Christos Marmarinos ka thënë se dëshirojnë ta bëjnë krenar çdo kosovar me Kombëtaren e Kosovës në basketboll në kategorinë e djemve.

“Synimi ynë është të luajmë për fitore. Fitorja është pjesë e rëndësishme për neve dhe ne duam ta bëjmë çdo kosovar në botë të krenohet me ekipin e tij kombëtar. Në të njëjtën kohë, krijimi i një “Mentaliteti të Basketbollit të Kosovës” është po aq i rëndësishëm dhe fitorja në këtë sektor do të frymëzojë dhe formojë gjeneratën e re të njerëzve të basketbollit në vend. Ky është qëllimi ynë më i madh dhe kjo do të jetë fitorja përfundimtare. Deri atëherë, ne do të luftojmë në çdo ndeshje për fitore”, theksoi Christos Marmarinos.

Kosova në para-kualifikimet evropiane për Botërorin 2023, ka mundur në shtëpi Islandën 80:78 dhe Luksemburgun në udhëtim 80:84. Në muajin nëntor, Dardanët janë mysafirë të Sllovakisë dhe Islandës.