Foto: Komiteti Olimpik i Kosovës

Loriana Kuka fiton medalje të bronztë në Portugali

Xhudistja kosovare, Loriana Kuka ka fituar medalje të bronztë në ‘Grand Prix’ që u mbajt në Almada të Portugalisë.

Në një njoftim të Federatës së Xhudos në Kosovë është thënë se Kuka në raundin e parë ka mposhtur me dy Wazaari për Ippon garuesen nga Qipro, ndërsa në ndeshjen e dytë ajo mposhti me Ippon garuesen nga Ekuadori.

“Loriana në çerekfinale kishte një ndeshje të gjatë dhe të vështirë, të dy garueset kishin nga dy dënime në kohë të rregullt, në vazhdime pas plot 12 minutash ajo u dënua edhe me një shido dhe humbi ndeshjen kundër ukrainases, Yelyzaveta Lytvynenko” – thuhet në njoftim.

Tutje është thënë se pas asaj humbje Kuka u kualifikua të ndeshej në repasazh, prapë kishte ndeshje të gjatë në vazhdime, ajo fitoj me 3 dënime për Ippon kundër sllovenes Patricija Brolih.

Kuka për të bronztën zuri në mbajtje për 20 sekonda dhe mposhti me Ippon garuesen nga Koreja Jugore, Jeongyun Lee.