Letra e Mustafit për tifozët e Arsenalit: Nuk ju kuptoj pse më kritikoni

Mes spekulimeve për të ardhmen e tij në Arsenal dhe kritikave nga ana e tifozëve, qendërmbrojtësi me origjinë shqiptare, Shkodran Mustafi, ka shkruar një letër për tifozët e klubit londinez.

Mustafi thekson se ndonjëherë nuk i kupton kritikat por flet edhe për vështirësitë që e karakterizojnë një mbrojtës i cili sipas tij është gjatë 90 minutave në tension.

Letra u publikua në faqen zyrtare të klubit të Arsenalit:

Ne jemi vetëm njerëz dhe nuk mund ta ndalojmë trurin. Kur t’i kesh lexuar kritikat – të mira apo të këqija – ato të mbesin në mendje, shkruan Shkodran Mustafi.

Kur unë erdha në Arsenal në vitin 2016, sezoni veçse kishte filluar. Unë erdha dhe e luajta ndeshjen time të parë kundër Southamptonit. Fituam në minutën e fundit – mendoj se në atë ndeshje shënuam nga pika e penalltisë – dhe pastaj luajta kundër Paris Saint-Germainit në Ligën e Kampionëve dhe pastaj në shtëpi kundër Chelseat.

Ato ishin ndeshje të vështira, por unë e dhashë më të mirën nga vetja dhe ne luajtëm shumë mirë në të gjitha ato ndeshje. Ne barazuam në Paris, fituam kundër Chelseat dhe patëm shumë ndeshje të mira më pastaj.

Ishte një periudhë shumë e mirë sepse ishte më e lehtë për mua të përshtatem kur gjërat po shkonin mirë, kur skuadra ishte duke fituar dhe kur ti e di se mund të jesh pjesë e një skuadre.

Natyrisht se dëshiron ta fillosh mirë, është e vështirë të mos emocionesh. Në fund të fundit, gjërat po shkojnë mirë për një arsye dhe ti duhet të vazhdosh të punosh dhe të përmirësohesh. Vetëm kështu mund të vazhdosh duke i fituar ndeshjet. Kjo është një gjë e rëndësishme.

Në atë periudhë nuk duhet të mendosh: “Tani gjithçka do të jetë e lehtë” dhe pastaj të ndalësh së bëri atë që po e bëje më parë.  Mendoj se gjëja kryesore është të vazhdosh ta bësh punën tënde, të japësh gjithçka nga vetja, të vazhdosh të tentosh të përmirësohesh dhe pastaj mund të vazhdosh të fitosh ndeshje.

Kur i ke tifozët në anën tënde, kjo të jep më shumë vetëbesim. Si mbrojtës, është gjithmonë e vështirë sepse je gjithmonë nën presion, veçanërisht kur nuk e ke topin dhe kundërshtarët po sulmojnë. Çdo gabim i vogël mund të çojë te një gol.

Për njerëzit që shikojnë nga jashtë, ata e shohin vetëm një skenë të veçantë kur ndodh gabimi dhe pastaj zemërohen me ty. Ti nervozohesh me veten sepse nuk dëshiron të bësh gabim sërish. Ishte e vështirë ta përballoj të gjithë presionin në këtë kohë.