Foto: Formula 1

LeClerc dhe Ferrari triumfojnë në Itali

Piloti i  Ferrarit, Charles LcClerc, e ka fituar garën e dytë me radhë në sezon duke triumfuar në Çmimin  e Madh të Italisë.

Kjo ka qenë fitorja e parë në pistën e Monzas për LeClerc në karrierën e tij. Një javë më parë, LeClerc ishte fitues edhe i Çmimit të Madh të Belgjikës.

Me këtë fitore, LeClerc i ka bërë tejet të lumtur pronarët e Ferrarit, të cilët në pistën vendase në Monza, e shënuan 60 vjetorin e pjesëmarrjës së tyre në kampionatin e Formula 1.

Fitorja e Ferrarit në Monza sot erdhi pas gati 9 vitesh pritje pasi që hera e fundit kur Ferrari kishte arritur një fitore në shtëpinë e vet ishte në vitin 2010 me kampionin e dyfishtë, Fernando Alonson.

Gjatë krejt garës, LeClerc ka diktuar tempon dhe ishte në krye të garës, ndërsa në disa momente sulmohej nga Hamilton i cili megjithatë nuk arriti asnjëherë ta ushtrojë presionin e duhur për ta tejkaluar.

Tetë ditë pas humbjes së mikut të tij, Anthoine Hubert, në një aksident  të garës së Formula 2 në Belgjikë, LeClerc duket se e ka tejkaluar pikëllimin e tij pas kësaj fitore në Itali.

“Asnjëherë nuk jam lodhur kaq shumë. Ia dola ta përfundoj garën i pari dhe jam shumë i lumtur. Më duhet të jem i kujdesshëm sa i përket gabimeve – por asnjë prej gabimeve të sotme nuk rezultoi me humbjen e pozicionit tim të parë sot. Ishte një garë e vështirë”, ka deklaruar LeClerc menjëherë pas garës, duke e përshkruar këtë fitore si një “ëndërr të realizuar”.

“Ka bërë një punë tepër të mirë – urime Ferrarit dhe LeClerc-ut. Kishte presion të madh nga Valtteri Bottas, pastaj edhe gomat e mia e arritën limitin e konsumit. Edhe po ta arrinim shumë afër, prapë nuk do të mund ta tejkalonim”, ka deklaruar kampioni  aktual britanik Lewis Hamilton.

“Mendoj se e kishim një lloj strategjie të mirë, të paktën, për mua, por në fund nuk ia dola. Bëra të pamundurën ta tejkaloja (LeClerc-un) por nuk arrita assesi”, ka deklaruar Valtteri Bottas, piloti i skuderisw Mercedes, i cili garën e përfundoi në pozitën e dytë.

Rolin e Hamiltonit e mori kah fundi i garës kolegu i tij Nottas i cili në xhirot e fundit ia rrezikoi bukur shumë LeClercut pozitën e parë  mirëpo disa gabime të bëra e lanë pa potencialin e duhur për ta marrë këtë pozicion.

Përderisa LeClerc e arriti fitoren sa briliante aq edhe kontraversale, kolegu i tij nga Ferrari, Vettel, përjetoi makthin e vërtetë.

Ishte i katërti në fillim të garës  pastaj e humbi këtë pozicion nga piloti i skuderisë Renault, Nico Hulkenberg, qysh në xhiron e parë por pastaj humbi kontrollin e bolidit të tij  në kthesën Ascari.

Sikur kjo të mos mjaftonte, teksa tentoi të futet në pistë nga pakujdesia është goditur me bolidin e skuderisë Racing Point, Lance Strollin.

Kjo i dha atij një dënim prej 10 sekondësh e cila ia bëri të mundur që, madje, të provojë të marrë ndonjë pikë në garën e sotme.

Pilotët e skuderisë Renault, Daniel Richiardo dhe Nico Hulkenberg, e morën vendin e katërt dhe të pestë, ndërsa pozitën numër shtatë e fitoi piloti i skuderisë Red Bull, Aleksander Albon. Piloti i Racing Point Sergio Perez ia doli ta fitojë vendin e shtatë ndërsa “holandezi fluturues” Max Verstappen, i cili qysh në start të garës pësoi një aksident dhe u rendit si i fundit, arriti që të përfundojë garën në vendin e tetë. Pozita e nëntë dhe i dhjetë i takoi Antonio Giovinazzi nga skuderia Alfa Romeo, respektivisht, Lando Noris nga skuderia McLaren.

Gara e ardhshme e kampionatit në Formula 1 do të mbahet më 22 shtator për Çmimin e Madh të Singaporit.