Lautaro Martinez do të qëndrojë te Interi edhe nëse largohet Conte

Interi mund ta nisë sezonin e ri pa trajnerin Antonio Conte, pasi italiani kërkon garanci në financa për sezonet e ardhshme, gjë të cilën mundet të mos ia mundësoj skuadra italiane për shkak të krizës financiare që e ka kapluar të gjithë botën për shkak të COVID-19.

Sulmuesi argjentinas, Lautaro Martinez, ka thënë se është i lumtur te Interi dhe nuk është duke menduar për vazhdimin e kontratës.

“Kontrata? Nuk e di nëse është tashmë koha për të, por ne po punojmë me pronarët dhe agjentët e mi po flasin me drejtorët. Marrëveshja do të gjendet. Unë jam i qetë. Unë jam i lumtur këtu dhe dua të jem pjesë e këtij projekti”, ka deklaruar 23 vjeçari.

Martinez ka thënë se do të qëndrojë te Interi edhe nëse largohet Antonio Conte.

“Raporti me Conte? Shumë diskutime sepse ne i shfrytëzojmë bisedat për të përmirësuar veten. Ai gjithmonë përpiqet të marrë maksimumin prej nesh, madje edhe në trajnim. Ai jeton futbollin në një mënyrë të veçantë dhe kjo na lejon të rritemi. Të gjithë shpresojmë që ai qëndron sepse në 2 vjet kemi bërë përparime të mëdha. Më pëlqen trajneri ynë. Por edhe nëse ai largohet, unë jam një lojtar i Interit dhe do të vazhdoj të punoj për Interin”, ka thënë Lautaro Martienz.

Lautaro në këtë sezon i ka shënuar 18 gola dhe nëntë asistime në të gjitha garat.