Largimi i Agim Canës: Klubi i futbollit Vëllaznimi 'në prag të shuarjes'

Një ndër klubet futbollistike më të njohura në vend, Vëllaznimi i Gjakovës është në prag të shuarjes si klub.

Nëpërmjet një komunikate, Vëllaznimi ka bërë të ditur se kryetari Agim Cana ka dhënë dorëheqje dhe është larguar nga Kosova, ndërsa komuna e Gjakovës nuk ka mjete për larjen e borxheve ndaj stafit dhe lojtarëve, ndërsa këta të fundit kanë bojkotuar stërvitjet.

“Kryetari aktual, z.Agim Cana, i cili për një vit e gjysmë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm, ka paraqitur dorëheqje nga ky post, dorëheqje kjo që nuk është pranuar nga zyrtarët më të lartë komunalë. Pavarësisht kësaj, ai, tash e një kohë është larguar nga Kosova. Në ndërkohë fare nuk është sqaruar se kush do të merr përsipër shlyerjen e borxheve të prapambetura por as kush do të merr përsipër financimin e mëtutjeshëm të veprimtarisë së Klubit. Bizneset gjakovare nuk kanë dëshmuar gatishmëri të theksuar, ndoshta edhe nga pamundësia, që të ndihmojnë ndjeshëm financiarisht klubin, ndërsa vetë komuna e Gjakovës nuk po gjen formë që ta bëjë një gjë të tillë”, thuhet në komunikaten e klubit.

Tutje në komunikatë tregohet për pakënaqësinë e lojtarëve rreth broxheve që u ka kubi, ndërsa është ‘ndezur alarmi’, pasi nëse nuk ndërmirret ndonjë veprim, klubi rrezikon të shuhet për një kohë të gjatë.

“Kjo ka bërë që situata në klubin Vëllaznimi të jetë vërtetë alarmante, dhe, nëse brenda pak ditëve të ardhshme nuk gjendet ndonjë zgjidhje emergjente, klubi i formuar para 94 vitesh dhe i regjistruar zyrtarisht para 92 vitesh, fatkeqësisht, rrezikon seriozisht të pushon aktivitetin përkohësisht apo për një kohë më të gjatë”, thuhet në fund të komunikatës së Vëllaznimit.

Vëllaznimi bën gara në Ligën e Parë të Kosovës, ku sezonin e kaluar dështoi të inkuadrohet në Superligë, pasi humbi ndeshjen e barazhit ndaj Trepçës ’89 me rezultat 4-2, ndeshje pas të cilës, Agim Cana kishte shpërthyer në akuza ndaj FFK-së.