Laporta: Nëse nuk i fitoj zgjedhjet, Messi nuk qëndron te Barcelona

Muaji mars pritet të jetë i rëndësishëm për skuadrën e Barcelonës, pasi klubi katalunas pritet të bëhet me president.

Zgjedhjet për presidentin e Barcelonës do të mbahen më 7 mars.

Kandidati për deputet të Barcelonës, Joan Laporta në një debat ku ishin të pranishëm edhe dy kandidatët tjerë, Toni Freixa dhe Victor Font, ka bërë të ditur se nëse nuk fiton ai, Messi do të largohet nga klubi.

“Unë kam një marrëdhënie të shkëlqyeshme me Leo [Messin] dhe ai do të marrë parasysh çfarëdo propozimi që t’i bëj. Nëse nuk fitoj, jam i sigurt që Leo nuk do të qëndrojë në Barcelonë”, ka thënë Laporta.

Spanjolli ka thënë se Messi do ta mendoj ofertën që do t’ia bëjë Barcelona kur Laporta do ta marrë drejtimin e klubit.

“Messi do ta peshojë ofertën që ne i bëjmë. Jam i bindur që nëse kandidatët e tjerë fitojnë, Messi nuk do të mbetet në Barcelonë. Ai nuk ishte i lumtur gjatë kohës që Freixa ishte në bord”, nënvizoi Laporta.

58 vjeçari ka thënë se Messi nuk ndikohet vetëm nga paratë, duke thënë se argjentinasi dëshiron një ekip konkurrues që fiton.

“Ai nuk drejtohet vetëm nga paratë. Ai dëshiron që një ekip konkurrues që fiton. Unë jam i sigurt se ai do të dëgjojë ofertën time, ashtu si unë jam [i sigurt] që nëse dikush tjetër fiton ai do të largohet”, përfundoi spanjolli.

Joan Laporta ishte Kryetar i Barcelonës mes viteve 2003-2010.