Laporta i nervozuar me Parisin për interesimin e transferimit të Messit

Drejtori sportiv i Paris Saint-Germain, Leonardo ka deklaruar se janë të interesuar që të nënshkruajnë me Lionel Messin në afatin kalimtar të verës, kur edhe i skadon kontrata futbollistit argjentinas.

Barcelona është duke kaluar në krizë financiare, pasi ka borxhe në vlerë totale prej 1 milard e 173 milionë euro.

Kandidati për president të Barcelonës, Joan Laporta është shfaqur i nervozuar me deklaratat e Leonardos duke thënë se klubi do t’i bëj ofertë të re Messit dhe do ta respektojnë vendimin e tij.

“Klubi do të jetë në gjendje t’i bëjë një propozim të mirë Messit në mënyrë që ai ta kuptojë dhe ta pranojë atë. Unë do të kuptoja çdo përgjigje nga Leo. Ai duhet ta dijë situatën e klubit dhe kjo është urgjente. Ai është i lirë të negociojë me një klub tjetër dhe Barcelona është pa president”, ka deklaruar Joan Laporta.

Laporta e konsideron si mosrepsektim interesimin e Parisit haptazi për transferimin e Messit.

“PSG i lejon vetes të thotë publikisht se dëshiron të nënshkruajë me Messin. Barcelona nuk mund ta lejojë këtë, sepse është mosrespektim. Dhe aq më tepër që vjen nga një klub-shtet që thyen rregullat. Ne gjithashtu duhet të punojmë me UEFA-n dhe FIFA-n për këtë”, ka thënë Laporta.