LAJMI I FUNDIT: Trajneri Damir Mulaomerovic largohet nga Kombëtarja e Kosovës

Kombëtarja e Kosovës në kategorinë e djemve në basketboll, edhe zyrtarisht ka mbetur pa trajnerin Damir Mulaomerovic.

Kallxo.com, kishte marrë informacione se trajneri boshnjak Damir Mulaomerovic kishte përfunduar aventurën e tij me Kombëtaren e Kosovës, detyrë të cilën e kishte marrë në vitin 2018.

E këtë e ka konfirmuar vet FBK-ja, në një përgjigje për KALLXO.com.

Drejtori i përfaqësuesve të Kosovës në basketboll, Granit Rugova, ka zbuluar për Kallxo.com, se Mulaomerovicit i ka skuaduar kontrata dhe më nuk është trajner i “Dardanëve”.

“Trajnerit Mulaomerovic sapo i ka skaduar kontrata, domethanë ka pasur kontratë deri në përfundimin e këtij rundi të para-kualikimeve për Eurobasket 2021”, ka treguar Rugova në një përgjigje për Kallxo.com.

Rugova ka theksuar se trajneri Mulaomerovic ka bërë punë të mirë me Kosovën, përkundër mungesës së sukseseve me këtë kombëtare.

“Për kundër faktit që nuk arritëm të dalim të parët në këtë grup dhe të vazhdojmë më tutje, mendojmë se trajneri Mulaomerovic ka bërë punë të mirë me skuadrën dhe lojtarët që i kishte në dispozicion. Duke e ditur se lëndimi i Lis Shoshit ishte një humbje shumë e madhe për skuadrën, domethanë mbetëm pa lojtarin kyç në trapez, prapë arritëm të tregojmë lojë të mirë dhe të mos dorëzohemi edhe kundër një Anglie e cila ka një super ekip me shumicën e lojtarëve që luajnë në ligat më të mira të Europës”, ka potencuar ai.

Ai për fund ka cekur se tani FBK-së i mbetet që t’i analizojnë gjërat e këtij rundi dhe t’i fillojnë përgatitjen për rundin e radhës “FIBA Continental Cups”, që do të zhvillohet në shkurt të vitit 2020.

“Tasht mbetet të bëjmë analizat e këtij rundi dhe të fillojmë sa më herët të përgatitemi për rundin e radhës “FIBA Continental Cups”, që do të jetë në shkurt të vitit 2020”, ka thënë ai.