
Kupa e Kosovës në Basketboll, nga nesër spektakël në Pejë
Nesër në Pejë zhvillohen ndeshjet për Kupën e Kosovës në basketboll.
Nga Federata e Basketbollit të Kosovës kanë premtuar spektakël.
Zyrtari për Media nga Federata e Basketbollit të Kosovës ka premtuar spektakël për këtë organizim.
“Federata e Basketbollit e Kosovës së bashku me KB Peja janë duke bërë gjithçka që organizimi i Kupës të shkojë sipas planit. Besoj se do të jetë një organizim i jashtëzakonshëm, që nuk e kemi parë deri më tani dhe spektakël i basketbollit, për nder të Agim Llukës, i cili ka dhënë shumë për basketbollin e Kosovës”, ka thënë për KALLXO.com Bahri Rexha zyrtar për media në FBK.
Rexha tha se kanë bërë kërkesë që në sallë të lejohen 30 për qind e kapacitetit të tribunës.
“Ne kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë që të lejohen 30 % e tifozëve dhe jemi duke pritur përgjigjen e tyre zyrtarisht”, ka thënë Rexha.
Në njoftim të fundit nga Federata e Basketbollit të Kosovës thuhet se vetëm personat e vaksinuar kanë të drejtë të hyjnë në palestër.
Rexha ka treguar edhe çmimin e biletave për ndeshjet që pritet të zhvillohen.
“Bileta e të gjitha ndeshjeve, nga dita e parë, deri në fund kushton 15 euro, për një ndeshje të vetme kushton 5 euro, ndërsa për tifozët mysafirë të klubeve kushton 3 euro”, ka thënë Rexha.
Bahri Rexha për KALLXO.com ka thënë se për fituesin e Kupës nuk do të ketë ndonjë shpërblim.
“Kësaj radhe nuk ka premi për ekipin fitues. Besoj se kjo çështje do të rregullohet nga edicioni i ardhshëm dhe do të jetë një shumë për fituesin në konkurrencën e djemve, të vajzave dhe të Ligës së Parë”, është shprehur Rexha.
Ky është orari për ndeshjet e Kupës së Kosovës:
E mërkurë: Ora:14:00: Penza – Bashkimi, 17:00 Grupi B: Trepça – Rahoveci ,19:20 Hapja solemne, 20:00 Grupi C: Peja – Sigal Prishtina.
E enjte : Ora: 14:00 Istogu – Vëllaznimi (Liga e Parë),17:00 Grupi A: Golden Eagle Ylli – Drita, 20:00 Grupi D: Prizreni 16 – Bashkimi.
E premte : Ora: 14:00 New Basket – Vushtrria (Liga e Parë),17:00 Gjysmëfinalja e parë (Fituesit e grupit B-C), 20:00 Gjysmëfinalja e dytë (Fituesit e grupit A-D)
E diel: Ora:12:00 Finalja e Kupës së Ligës së Parë,15:00 Finalja e vajzave, 18:00 Finalja e djemve.