Kupa e Kombeve të Afrikës shtyhet për vitin 2022 shkaku i coronavirusit

Kupa e Kombeve të Afrikës e cila ishte paraparë të mbaj në janar në Cameroon është shtyrë deri në vitin 2022 shkaku i pandemisë së coronavirusit, bën të ditur Sky Sports.

Pandemia e coronavirusit ka bërë që shumë gara në futboll të anulohen e të shtyhen për afate të pacaktuara.

Fillimisht është shtyrë “Euro 2020”, për vitin 2021, tani është shtyrë edhe Kupa e Kombeve të Afrikës.

Kupa e Kombeve të Afrikës ishte paraparë të luhej nga 9 janari deri më 6 shkurt të vitit 2021.por është shtyrë për janarin e vitit 2022.

Vendimin për shtyrjen e Kupës së Afrikës, e ka marrë Konfederata e Futbollit të Afrikës pas një takimi që ka pasur sot. Fillimisht ishte paraparë që kupa të shtyhej për qershorin dhe korrikun e vitit 2021, por ishte shtyrë përsëri për janarin e vitit 2022, pasi nuk kishte kushte optimale.

Këtij vendimi po ashtu do t’i gëzohen klubet europiane pasi nuk do të kenë nevojë që t’i lirojnë futbollistët afrikan për Kupën e Afrikës në mes të sezonit 2020/2021.

Kampion aktual i Kupës së Afrikës është Algjeria pasi e kishte mposhtur Senegalin me rezultat 1-0.