Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës reagon pas hedhjes se shortit të Ligës së Kombeve

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës ka reaguar pasi Kosova ka mësuar kundërshtarët në Ligën e Kombeve.

Agim Ademi ka thënë se shorti ka qenë jo i lehtë për Kosovën.

“Mund të them se ishte një short jo i lehtë për ne, pasi kemi të bëjmë me ekipe që gëzojnë respekt në futbollin evropian”, ka thënë Ademi.

Ai ka folur edhe për kundërshtarët duke veçuar Kombëtaren e Greqisë.

“Greqinë e njohim tashmë shumë mirë, ngase kemi katër ndeshje kundër tyre, derisa me ekipet tjera do të përballemi për herë të parë”, tha tutje Ademi.

Ai është shprehur se Kosova do të përfundojë e para në grup.

“Unë kam besim në djemtë tanë dardanë dhe besoj në forcën e ekipit. Me ndihmën e tifozëve jam optimist se Kosova në fund të këtij edicioni të Ligës së Kombeve do të jetë e para në grupin 2 të Ligës C”, ka thënë presidenti Ademi.